Një delegacion i lartë i Bankës Gjermane për Zhvillim (KFW) për Evropën juglindore dhe Turqinë qëndruan në Kompaninë Rajonale të Ujësjellësit “Prishtina”, me ç’rast konfirmuan përkrahjen me donacione.
Ata u mirëpritën nga Sokol Xhafa, u.d. kryeshef ekzekutiv dhe menaxhmenti i lartë i ndërmarrjes.
“Në këtë takim të një rëndësie jetike për ndërmarrjen si ofrues i shërbimeve, u diskutuan projekte specifike zhvillimore.
Diskutimi u zhvillua edhe për projektet aktuale të financuara nga KFW, Masterplani për tetë komunat në zonën e shërbimit si dhe studimin e fizibilitetit për qytetin e Prishtinës, Obiliqit, Fushë Kosovës dhe Graçanicës (projekti që do të realizohet nga konsulenca gjermane bashkërisht me konsulencën vendore)”, thuhet në njoftim.
Më tej bëhet e ditur se theks të veçantë iu kushtua mbështetjes dhe bashkëpunimit për financimin e projekteve të dedikuara në përmirësimin e performancës së KRU “Prishtina”. /Telegrafi/