Ministria e Diasporës dhe Investimeve Strategjike përmes një komunikate për media ka bërë të ditur se ministri Dardan Gashi, ka pritur në takim drejtorin e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Harry Boyd – Carpenter.
Në këtë takim, drejtori i BERZh-it ka shprehur gatishmërinë për ta mbështetur Republikën e Kosovës në projektet e ardhshme, në veçanti ato për energjinë e ripërtëritshme.
“Vitin e kaluar, kemi investuar në Kosovë 85 milionë euro, ndërsa edhe për vitin e ardhshëm jemi pranë institucioneve të Kosovës për të dhënë kontributin në zhvillimin e vendit”, ka thënë drejtori Harry Boyd – Carpenter.
Nga ana tjetër, ministri Dardan Gashi e ka falënderuar këtë institucion që po rrugëton bashkë me proceset për zhvillimin e Republikës.
“Kemi edhe një lajm për Kosovën e Re. Kemi arritur marrëveshje 1.3 miliardë euro për funksionalizimin dhe presim së shpejti nënshkrimin e saj”, ka thënë Gashi.
Gjatë takimit u diskutuan dhe tema të tjera rreth Diasporës dhe investimeve strategjike.