Site icon Telegrafi

Banka e Shqipërisë: Turistët sollën 1.7 miliardë euro të ardhura

Tregtia Ndërkombëtare e Shërbimeve u mbyll me një balancë pozitive gjatë 3 mujorit të tretë të këtij viti duke regjistruar rreth 1,3 miliardë Euro, e zgjeruar në terma vjetorë me rreth 55% sipas Bankës së Shqipërisë.

Turizmi zë një peshë kryesore pasi vëllimi i transaksioneve tregtare në shërbime u rrit me rreth 46% në terma vjetorë, ndikuar nga shërbimet e udhëtimit dhe ato të transportit, duke reflektuar rritjen e kërkesës turistike për këto shërbime.

Gjatë tremujorit të tretë 2023, eksporti i shërbimeve të udhëtimit i ka siguruar ekonomisë shqiptare rreth 1,7 miliardë Euro. Nga ana tjetër, udhëtarët rezidentë shqiptarë dhe të huaj kanë shpenzuar në udhëtimet e tyre jashtë vendit 776 milionë euro.

Shërbimet e udhëtimit gjenerojnë respektivisht 70% të flukseve valutore në hyrje dhe rreth 75% të shpenzimeve të kategorisë së shërbimeve.

Banka e Shqiperise nenvizon se shërbimet e udhëtimit u mbyllën me suficit prej 885 milionë euro, kundrejt atij prej 505 milionë Euro një vit më pare, duke shënuar rritje mjaft të madhe. Të ardhurat dhe shpenzimet nga shërbimet e udhëtimit u rritën në terma vjetorë respektivisht me rreth 56% dhe 40%. Kjo ecuri është sëbashku pasojë e rritjes së fluksit të udhëtarëve, ditë qëndrimit dhe shpenzimeve ditore nënvizon raporti më i fundit i Bankës së Shqipërisë.

Gjithashtu Banka e Shqipërisë thekson se të ardhurat dytësore u vlerësuan në 304 milionë Euro në fund të 3-mujorit të tretë. Më konkretisht rreth 77% e të ardhurave dytësore përfaqësohet nga remitancat ose të ardhurat nga emigrantët.

Sipas Bankës së Shqipërisë prurjet valutore të emigrantëve, shënuan rreth 233 milionë euro, me një rritje vjetore prej 8%. Gjithashtu gjatë periudhës së mësipërme është vërejtur rritje jo vetëm e kanaleve formale pra nëpërmjet sistemit bankar, por edhe e prurjeve në parave cash./TV Klan

Exit mobile version