Shqipëria po synon që të ulë sa më shumë inflacionin, i cili aktualisht është 4.6 për qind. Parashikimin për një ulje deri në 3 për qind e ka dhënë vetë zëvendësguvernatorja e Bankës së Shqipërisë, Luljeta Minxhozi.
Nëse parashikimet dhe synimet shkojnë siç duhet, atëherë Shqipëria mund të ketë inflacionin më të ulët në Evropë. Madje ai nuk do të jetë më shumë se 3 për qind.
Kjo të paktën po pretendohet të arrihet brenda një kohë të shkurtër, sipas Minxhozit.
“Qëllimi ynë është që inflacioni të ulet deri në 3 për qind”, deklaroi ajo në “Samitin Rajonal të Guvernatorëve, ministrave të Financave dhe drejtorëve të Administratës Tatimore”, që po mbahet në Budva të Malit të Zi.
Ajo ka thënë se si çdo shtet në botë, edhe Shqipëria është prekur nga inflacioni dhe rritja e madhe e çmimeve.
“Edhe ne jemi prekur nga inflacioni. Ne tani jemi me 4.6 për qind. Mirëpo, jemi më mirë se shumë vende të rajonit. Por, edhe siç e thashë më herët, synimi ynë është që ai të ulet, madje deri në 3 për qind”.
Minxhozi ka renditur edhe sfidat me të cilat është ballafaquar shteti në vitet e fundit.
“Shqipëria ka pasur disa vite të rënda. Jemi prekur nga tërmeti, ku janë shkaktuar dëme të mëdha në shumë qytete. Po ashtu edhe nga Covid jemi prekur, si çdo shtet i botës dhe së fundmi edhe me luftën në Ukrainë, që ka pasur ndikim në ekonomi”.
Në këtë Samit, që ka nisur sot dhe do të vazhdojë deri të martën, janë duke u diskutuar tema të ndryshme për ekonominë e shteteve. Ndër këto tema është folur edhe për papunësinë, mungesën e fuqisë punëtore e rritjen e pagave. /Telegrafi/