Telegrafi

Banka e Shqipërisë parashikon rritje ekonomike 4 për qind në vitin 2022 dhe stabilizim të çmimeve vitin që vjen

Banka e Shqipërisë pret që çmimet në treg të normalizohen gradualisht në vitin 2023 dhe një vit më pas inflacioni të zbresë në nivelin 3 për qind.

Deklarata vjen nga guvernatori Gent Sejko, i cili thotë se këtë vit konsumi dhe rritja ekonomike u vendos në vështirësi për shkak të luftës në Ukrainë.

Sejko gjithashtu tha se banka qendrore pret një rritje ekonomike prej 4 përqind në vitin 2022.

“Në nëntor, inflacioni shënoi 7.9 për qind – pak më i ulët se muaji paraardhës, por gjithsesi një vlerë e lartë që përbën kërcënimin kryesor ndaj stabilitetit makroekonomik, si dhe ndaj rritjes së qëndrueshme e afatgjatë të Shqipërisë. Dua të nënvizoj se sipas parashikimeve më të fundit të Bankës së Shqipërisë, inflacioni pritet të reduktohet progresivisht gjatë vitit 2023 dhe të kthehet në objektiv në mesin e vitit 2024”, tha Sejko.

Megjithatë, ndërhyrjet e Bankës për rritjen e normave të interesit ishin të dobishme për të kufizuar rritjen e mëtejshme të inflacionit ndërsa në plan të përgjithshëm, nuk flitet për recesion.

Në takimin e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, me gazetarë e analistë u ndanë edhe çmimet për Diplomën më të Mirë për vitin 2022 në degën e Ekonomisë dhe Financës, për Pegi Myshqerin, Taulant Yzellarin dhe Ilir Brashën. /Telegrafi/