Site icon Telegrafi

Banka Botërore do të mbështesë bujqësinë në Kosovë

Banka Botërore do të vazhdojë të mbështesë bujqësinë në Kosovë edhe në komponentë të reja që do ta avancojnë edhe më shumë sektorin, siç është ujitja e tokave bujqësore. Kjo u theksua në takimin që Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Memli Krasniqi pati me Ellen Goldstein, drejtoreshë për Ballkanin në Bankën Botërore ( BB) dhe drejtorin e BB-së për Kosovë, Marco Mantovanelli.

Ministri Krasniqi e njoftoi zonjën Goldstein me zhvillimin e bujqësisë në dy vitet e fundit dhe me ndikimin që kanë pasur investimet nga MBPZHR-ja por edhe projektet e tjera si ai i Bankës Botërore, USAID apo edhe organizata të tjera.

Krasniqi theksoi se ka ende shumë sfida e në veçanti disa që janë edhe strukturore për bujqësinë siç është mungesa e kapaciteteve moderne të ujitjes, konsolidimi i tokave dhe infrastruktura rurale. Ai falënderoi Bankën Botërore për përkrahjen që i ka dhënë bujqësisë në Kosovë, dhe për gatishmërinë që kjo mbështetje të vazhdojë dhe të rritet po ashtu, në veçanti duke u fokusuar në projekte të mëdha që do të rregullonin mungesën e ujitjes së tokave bujqësore.

Nga ana e saj, drejtoresha Goldstein vlerësoi bashkëpunimin e deritanishëm dhe të arriturat e shënuara në sektorin e bujqësisë.

Ajo rikonfirmoi mbështetjen e Bankës Botërore për bujqësinë, duke theksuar se si sektor ka kontribuar dhe po kontribuon në zhvillimin ekonomik në vend dhe në hapjen e vendeve të reja të punës.

Ministri Krasniqi dhe drejtoresha Goldstein u pajtuan që të kenë koordinim të vazhdueshëm për realizimin e projekteve të reja mes MBPZHR-së dhe BB-së për bujqësinë në Kosovë.

Exit mobile version