Shqipëria ka nivelin më të lartë të pabarazisë ndërmjet shtresave sociale se çdo vend tjetër i Ballkanit Perëndimor. Vendi përherë dhe më shumë po shkon drejt shtresëzimit dypolar vlerëson Banka Botërore, teksa paralajmëron se mungesa e shtresës së mesme është e rrezikshme për të ardhmen e shoqërisë.
“Janë dy Shqipëri që ndeshen gjithë kohën. Është një Shqipëri reale e atyre që përbëjnë më shumë se 50 për qind të të punësuarve në sektorin privat dhe atë publik me të ardhura të pamjaftueshme dhe kemi Shqipërinë virtuale që rreket të krijohet përgjithësisht nga zoti Rama, ekipi i tij dhe elita politike e vendit”, tha Zef Preçi nga Qendra për Kërkime Ekonomike për A2 CNN.
Teksa e cilëson si një “realitet të dhimbshëm”, Banka Botërore argumenton se rritja ekonomike e vendit nuk po përkthehet në shtim të mirëqenies së popullatës. Ushqimi përbën 70 për qind të konsumit të përgjithshëm për 25 përqindëshin me të ardhura më të ulëta të popullsisë thuhet në dokument.
“Për fat të keq ne kemi individë që qeverisin, por ende nuk kemi institucione. Ajo çfarë ne nuk kemi qenë në gjendje të ndërtojmë janë urat mes kontributeve dhe taksave dhe përfitimet që vijnë nga ato. Pra shndërrimit të tyre në të mira publike”, shtoi Preçi.
Sipas Bankës Botërore, pabarazia është rritur, veçanërisht në zonat rurale dhe grupet e varfra duke nxitur emigrimin ekonomik, kryesisht te të rinjtë. /Telegrafi/