Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) e rendit Shqipërinë si vendin e parafundit për cilësinë e infrastrukturës edhe pse taksapaguesit shqiptarë kanë paguar miliarda euro për investime publike.
Sipas FMN, për periudhën 2005-2016, qeveria shqiptare ka shpenzuar çdo vit mesatarisht 5.5 për qind të prodhimit kombëtar për vepra publike, kryesisht rrugë, porte dhe segmente të tjera të infrastrukturës.
Kjo e rendit Shqipërinë në 5 vendet me nivelin më të lartë të shpenzimeve kapitale në dekadën e fundit.
Por ky ritëm agresiv i investimeve nuk ka mjaftuar që vendi të ketë një infrastrukturë të krahasueshme me ekonomitë e ngjashme.
Sipas FMN, nga një grup me 40 shtete të marra në shqyrtim, Shqipëria është vendi i dytë me infrastrukturën me të keqe duke lënë pas vetëm Ruandën.
Të gjitha ekonomitë e tjera, përfshirë ato të ngjashme si Serbia dhe Maqedonia kanë rrugë, porte, hekurudha dhe infrastrukturë energjetike më të mirë edhe pse shpenzojnë më pak.
Por cila është arsyeja se pse miliardat e paguara nga qytetarët shqiptarë nuk kanë sjellë përmirësimin e pritshëm të infrastrukturës? Përgjigja sipas FMN lidhet edhe me eficencën e investimeve.
Sipas raportit, Shqipëria bën pjesë në grupin e vendeve me eficencë të ulët të investimeve, ndërkohë që Banka botërore vlerëson se të paktën 30 për qind e fondeve të shpenzuara në projekte publike, shpërdorohen ose si pasojë e korrupsionit ose nga zvarritja e projekteve. /Telegrafi/