Site icon Telegrafi

Banka Botërore: Rritja ekonomike në Kosovë e ulët

Rritja ekonomike në Kosovë është parashikuar të jetë 3.6 për qind për vitin 2016, që është më e ulët se 3.9 për qind sa ishte në vitin e kaluar. Kjo rritje parashihet të jetë 3.7 për qind deri në vitin 2018.

Kështu u tha gjatë prezantimit të raportit të ri nga Banka Botërore për ekonominë në Evropën Juglindore. Rritja ekonomike u vlerësua të jetë solide, por edhe e ngadaltë. Mirëpo, rritja e mjaftueshme për Kosovën do të ishte 7 për qind, e cila do të ndikonte për zhvillimin ekonomik dhe uljen e papunësisë.

Drejtori i Bankës Botërore për Kosovë, Marco Vanelli, theksoi se performanca ekonomike e Kosovës për këtë vit dhe mesazhet janë pozitive, kjo rritje solide ekonomike është mbi mesataren në Evropë, por e ulët krahasuar me mesataren 3.9 % të vitit 2015.

“Është e rëndësishme që Kosova ta gjejë mënyrën e drejte për ta drejtuar ekonominë e saj jo nga konsumi, por më shume nga kompetitimi dhe në investim të produktit. Kjo është receta e vetme që nje ekonomi e vogël të vazhdoj të rritet sikur kjo në rastin e Kosovës ta mbush atë boshllëkun. Disa nga çështjet politike që kanë kapluar vendin kanë ndikuar në ekonomi, sidomos në investitorët që janë shumë të nevojshëm për vendin, të cilët nuk e vlerësojnë aspak situatën dhe jo stabilitetin politik. Kështu që kjo paraqet rrezik sa i përket zhvillimit ekonomik . Sidoqoftë, kemi vërejtur presion për buxhetin e deficitit për programet e tranferit social diçka që duhet të përcillet dhe të përmirësohet”, tha Vanelli.

Ekonomisti i Bankës Botërore Agim Demukaj, theksoi se papunësia është problemi kryesor me të cilin ballafaqohet vendi. Sipas tij, Kosova ende mbetet me një papunësi të lartë, edhe pse në vitin 2015 BB ka parë se është zvogëluar krahasuar me vitin 2014. Demukaj tha se papunësia ka shënuar rënie nga 35 në 32.9 për qind. Arsyeja ka qenë migrimi i madh i qytetarëve të Kosovës.
Sipas tij, kategoria që është më brengosëse është numri i të rinjve, të cilët nuk janë në punësim, nuk janë në arsim, nuk janë në trajnim.
“Ekonomia e Kosovës ka vazhduar me u rritë në vitin 2015 dhe në vitin 2016 me një rritje solide sikurse edhe vendet fqinje. Krejt rajoni është përmirësuar në këtë vit, mirëpo për dallim prej disa vendeve në rajon që rritja ekonomike është shpejtuar në vitin 2016, ne në Kosovë presim një rritje pak më të ulët se në vitin e kaluar, për shkak se në fund të vitit të kaluar ka dal një rezultat për një rritje prej 3.9 për qind, ndërsa sivjet presim diku 3.6….Një arsye pse e kemi zvogëlua për 0.3 për qind është për shkak të mos realizmit të investimeve në Brezovicë”, tha Demukaj.

Ai tha se ndikimi i konsumit është më i madh se i investimeve, ndërsa neto eksportet kanë efekt negativ, për shkak të rritjes së importeve. Sipas tij, investimet e reja janë zvogëlua për rreth 40 për qind. “Konsumi sivjet do të jetë shtytësi kryesor I rritjes ekonomike, investimet gjithashtu do të rrisin ekonominë, mirëpo sa vitin e kaluar. Në vitin e kaluar kemi pasur një gjendje pak më të mirë, ku investimet I kanë tejkaluar kontributin e tyre. Investimet e huaja direkte kanë filluar me u zvogëluar sivjet. Realisht deri në të dhënat e muajit qershor ka pasur një rënie prej 36 për qind neto investime të huaja direkete sipas Bankës Qendrore. Ndërsa të ndikuara prej për mos hyrjes së investimeve të reja rreth 40 për qind zvogëlim”, tha ai.

Në Kosovë për herë të parë kanë shënuar rënie edhe dërgesat nga diaspora sivjet deri në gjysmën e parë të këtij viti, mirëpo, sipas ekonomistit të BB, deri në fund të vitit ato pritet të rriten.

Deficiti fiskal në vitin 2015 është përmirësuar krahasuar me fillimin qysh ka qenë i paraparë, kjo për shkak të politikave konsolidimit fiskal që ka ndodhur në gjysmën e dytë të vitit.

Sivjet sipas BB, deficiti pritet të zgjerohet në 2.5 për qind, për shkak të rritjes së shpenzimeve të pa parapara për transferet tek skema e veteranëve të luftës. Kjo do të krijon presion fiskal jo vetëm për këtë vit, por edhe për vitet e ardhshme që është një nga brengat kryesore sa i përket situatës fiskale në vend. Pavarësisht se borxhi publik në Kosovë ka shënuar rritje, është më i ulët se në vendet e rajonit.

Rekomandimi i Bankës Botërore në Prishtinë, është se stabiliteti fiskal duhet me u kthyer qysh është përmirësuar vitin e kaluar dhe për vitet e ardhshme me ruajtur 2 përqindëshin apo me gjet një rregull tjetër e cila është e qëndrueshme.

Po ashtu si rekomandim tjetër nga Banka Botërore është se Qeveria duhet të vazhdojë me reformat të cilat e përmirësojnë ambientin e biznesit që ndikojnë në rritjen e produktivitetit. Në këtë rast janë reformat e përgjithshme, arsim, shëndetësi, në biznes dhe rregullativa të tjera. /Telegrafi/

Exit mobile version