Guvernatori i Kosovës, Bedri Hamza ka pritur sot në takim drejtoreshën e Bankës Botërore për Ballkanin Perëndimor Ellen Goldstein dhe drejtorin e zyrës së Bankës Botërore për Republikën e Kosovës, Marko Mantovanelli.
Guvernatori Hamza i ka njoftuar zyrtarët e Bankës Botërore mbi gjendjen aktuale në sektorin financiar të vendit, e cila është vlerësuar stabile dhe e shëndoshë.
Në një njoftim të lëshuar nga Banka Qendrore e Kosovës, theksohet se guvernatori Hamza dhe Goldstein shkëmbyen informacione mbi zhvillimet aktuale ekonomike e financiare në Kosovë, si dhe u diskutua për mbështetjen shumëdimensionale që Banka Botërore vazhdon të japë në zhvillimin ekonomik dhe institucional të Republikës së Kosovës, transmeton KosovaPress.
Goldstein i ka konfirmuar guvernatorit Hamza, se Banka Botërore do të vazhdojë mbështetjen e saj për të gjitha fushat të cilat janë me interes për zhvillimin e BQK-së dhe për zhvillimin e sektorit financiar në përgjithësi.
Ajo theksoi se suksesi i projekteve të zhvilluara në Kosovë merret si model për të dizajnuar projektet për vendet e tjera.