Telegrafi

Banka Botërore po reformohet

Në një fjalim në hapje të Takimeve Vjetore të Bankës Botërore dhe të Fondit Monetar Ndërkombëtar në Stamboll, Turqi, Zoellick tha se reformat e Bankës Botërore do të përqendrohen në përmirësimin e efektivitetit zhvillimor, kultivimin e llogaridhënies dhe qeverisjes së mirë dhe vazhdimin e rritjes së efikasitetit.

“Për t’i shërbyer ekonomisë globale në ndryshim e sipër, bota ka nevojë për institucione agjile, të gjalla, të afta dhe llogaridhënëse,” tha Zoellick në takimin e Bordit të Guvernatorëve të Grupit të Bankës Botërore. “Grupi i Bankës Botërore do të përmirësojë legjitimitetin, efikasitetin, efektivitetin dhe llogaridhënien e tij dhe do të zgjerojë edhe më tej bashkëpunimin me OKB dhe FMN, me bankat e tjera zhvillimore multilaterale, me donatorët, shoqërinë civile dhe fondacionet të cilat janë bërë aktorë zhvillimorë përherë e më të rëndësishëm.

Zoellick theksoi se kur u themelua Banka Botërore më 1944, bota ishte ndryshe nga ajo që është sot. Institucioni u formua nga 44 vende, ndërsa anëtarësia e saj sot është 186 vende. Shumica e vendeve që janë në zhvillim sot atëherë ende ishin koloni.

Sistemi ka përshkuar një rrugëtim të gjatë që nga atëherë dhe ekonomia politike e shekullit 21 kërkonte një rend të ndryshuar që pasqyronte rolin në rritje të vendeve në zhvillim. Ato tashmë ishin një burim i rritjes së mundshme ekonomike që mund të shpiente tek një ekonomi botërore më e baraspeshuar.

“Nëse vendet në zhvillim janë pjesë e zgjidhjes, ato duhet të jenë edhe pjesë e bisedimeve. Sistemi ndërkombëtar ka nevojë për një Grup të Bankës Botërore që përfaqëson realitetet e ekonomisë ndërkombëtare të shekullit 21, që njeh rolet dhe përgjegjësitë e palëve në rritje e sipër dhe që ofron një zë më të fuqishëm për Afrikën,” tha Zoellick.

Aksionarët e Bankës Botërore mbështetën reformat që do t’u jepnin vendeve në zhvillim të paktën 47% të pjesës së votimit brenda institucionit. Zoellick tha se aksionarët duhet të shkojnë përtej kësaj për të arritur shifrën prej 50% të aksioneve për vendet në zhvillim.

Reformat ishin të pashmangshme meqë bota po ndryshonte me ritëm aq të shpejtë, tha Zoellick. “Rendi i vjetër ndërkombëtar ekonomik mezi arrinte të kapte hapin me ndryshimet para krizës. Dyndja e sotme ka nxjerrë në pah zbrazëtira të mëdha dhe nevoja urgjente. Është koha të arrijmë hapin dhe të ecim para.”

Komisioni i Nivelit të Lartë i kryesuar nga ish Presidenti i Meksikos, Ernesto Zedillo, të cilin Zoellick e angazhoi vitin e kaluar për të shqyrtuar reforma më gjithëpërfshirëse në qeverisjen e Bankës Botërore, pritet të dorëzojë raportin e tij më vonë gjatë këtij muaji.