Site icon Telegrafi

Banka Boterore: Për shkak të pandemisë deri në 150 mijë njerëz në Kosovë mund të bien në varfëri

Banka Botërore vlerëson se deri në 150 mijë veta në Kosovë mund të bien në varfëri, për shkak të pandemisë COVID-19.

Një studim i Bankës Botërore konstaton se pandemia do të rrisë nivelin e varfërisë dhe të papunësisë në Ballkanin Perëndimor.

Në raportin e BB-së, kur flitet për Kosovën, thuhet se me ndërprerjen e aktivitetit ekonomik dhe rënien drastike të remitencave si rezultat i COVID-19,ka gjasa që efektet në varfëri në Kosovë të jenë të konsiderueshme.

“Një numër i shumë i madh individësh pritet të humbasin vendin e punës, veçanërisht ata me kontrata me afat të caktuar, punëtorët sezonalë dhe të punësuarit në sektorin informal. Kosova ka një sektor të madh ndërtimi, i cili është veçanërisht i ndjeshëm pasi përbën një burim të rëndësishëm të të ardhurave për shtresat e varfra dhe të cenueshme në zonat urbane. Në të vërtetë, simulimi i kryer për këtë shënim sugjeron se 148,000 – 57,000 njerëz mund të bien në varfëri, ndërsa klasa e mesme mund të tkurret me rreth 100,000 njerëz”, thuhet në raportin e BB-së.

Sipas studimit të Bankës Botërore, kjo është ekuivalente me një rritje prej 4-10 pp të shkallës së varfërisë. Megjithëse asistenca sociale është një burim i rëndësishëm i të ardhurave për të varfrit (rreth 15 për qind në 2017) dhe në njëfarë mase do t’i mbrojë ata nga efektet e krizës, më shumë se gjysma e njerëzve që do të bien në varfëri nuk përfitojnë nga asnjë program aktual i përkrahjes sociale (megjithëse rreth 40 për qind e tyre marrin pension), duke rritur kështu nevojën për zgjerim të mbulimit dhe ndoshta edhe bujarinë e programit të transfertave në para fizike me qëllim lehtësimin e efekteve nga rënia e të ardhurave.

Exit mobile version