Banka Botërore ka shkurtuar sërish projeksionet për rritjen ekonomike të vendit tonë, duke folur për një tkurrje prej 8.4% këtë vit. Raporti i fundit vlerëson se 40 % e shqiptarëve do të zhyten në varfëri.
Institucionet ndërkombëtare financiare e shohin shumë të zymtë situatën ekonomike gjatë këtij viti në vendin tonë. Pas FMN-së, edhe Banka Botërore vlerëson se recesioni ekonomik do të jetë edhe më i fortë se parashikimi fillestar, prej 5%. Sipas Bankës Botërore, ekonomia shqiptare do të bjerë me 8.4% gjatë këtij viti.
Recesioni do të ndikohet veçanërisht nga rënia e thellë e konsumit dhe tkurrja e eksporteve. Goditja e sektorit të turizmit shihet si një faktor kyç, ndërsa raporti vlerëson se bizneset e vogla, që përfaqësojnë mbi 90 për qind të firmave private, po kalojnë një situatë të brishtë dhe mundësia për financim është kufizuar ndjeshëm.
Por si do të përkthehej në një rënie ekonomike kaq e fortë? Tkurrja -8.4% nënkupton më shumë individë të papunë dhe rritje të familjeve që jetojnë në varfëri. Banka konstaton se varfëria do të rritet me 5 pikë përqindje, çka do të thotë se rreth 40 % e popullsisë do të jetojë me më pak se 5.5 dollarë në ditë.
Sipas Bankës Botërore nga 2 milion e 900 mije shqiptarë, 1 milion e 181 mijë do të jenë të varfër. Përkundër shifrës së recesionit, Banka Botërore parashikon edhe një rritje të borxhit publik në nivelin 81,3% dhe vështirësi të mëdha në mbledhjen e taksave në vijim.
Pak ditë më parë, edhe BERZH mbajtur të pandryshuar pritshmërinë për ecurinë ekonomike të vendit në vitin 2020, për një rënie prej -9%, duke evidentuar se tërmeti I 26 nëntorit dhe pandemia kanë bërë që Shqipëria të vuajë rënien më të madhe në rajon.