Na kërkohet me aktet tona nënligjore të ndjekim opsionet me kosto më të ulët – meqë burimet alternative tani janë nën koston e qymyrit, pa dyshim nuk do ta mbështesim një projekt të tillë. Kështu ka deklaruar presidenti i Grupit të Bankës Botërore, Jim Yong Kim, gjatë takimit vjetor të Grupit të Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar që po mbahet në Bali të Indonezisë.
Balkan Green Foundation me anë të një njoftimi iu bënë thirrje institucioneve të tjera të largohen nga lëndët djegëse fosile.
“Gjatë një takimi me përfaqësues të Organizatave të Shoqërisë Civile, drejtoresha menaxhuese e Fondit Monetar Ndërkombëtar, Christine Lagarde dhe presidenti i Grupit të Bankës Botërore, Jim Yong Kim, diskutuan me shoqërinë civile një gamë të gjerë temash zhvillimore. Ndër të tjera diskutime gjatë takimit në fjalë, Azemi i drejtoi pyetje Kim lidhur me qëndrimin e Bankës Botërore për mbështetjen e projektit me qymyr në Kosovë, ku Kim konfirmoi se Banka Botërore ka marrë një vendim të qartë për të mos përkrahur termocentralin ‘Kosova e Re’. Kim deklaroi se ‘na kërkohet me aktet tona nënligjore të ndjekim opsionet me kosto më të ulët – meqë burimet alternative tani janë nën koston e qymyrit, pa dyshim nuk do ta mbështesim një projekt të tillë'”, thuhet në njoftimin e Balkan Green Foundation.
Balkan Green Foundation i bën thirrje BERZH-it dhe institucioneve tjera financiare ndërkombëtare që të deklarojnë nëse do të ndjekin të njëjtin veprim si Banka Botërore dhe të mbështesin tranzicionin drejt shfrytëzimit të burimeve të ripërtërishme për prodhimin e energjisë, ndërkohë që largohen nga lëndët djegëse fosile. /Telegrafi/