Telegrafi

Banka Botërore, ndihmë qeverisë për zhvillim ekonomik

Zëvendëskryeministri Ramë Manaj ka zhvilluar një takim pune me përfaqësues të Bankës Botërore, të cilët i ka njohur me synimin e Qeverisë së Kosovës në hartimin e një strategjie për zhvillimin e politikave të qëndrueshme të punësimit.

“Kjo strategji do të shqyrtohet dhe aprovohet në qeveri. Strategjia do jetë pjesë vepruese e punës sonë në këtë fushë, me qëllim të gjetjes dhe rritjes së vendeve të punës”, ka thënë zv/kryeministri Manaj.

Nga ana e saj, Anita Shvarc, udhëheqëse e Programit për politika të qëndrueshme të punësimit në Bankën Botërore, tha se Banka Botërore dhe grupi prej dhjetë donatorësh dëshirojnë t’i përkrahin politikat e qëndrueshme të punësimit përmes Qeverisë së Kosovës.

“Ne dëshirojmë të dimë se cilat janë kërkesat dhe interesimet e qeverisë sa i përket kësaj fushe dhe ta ndihmojmë atë përmes kapaciteteve tona, të vetëdijshëm për sfidat që na presin kur dihet se sa është e madhe shkalla e papunësisë në Kosovë”, tha Shvarc.