Telegrafi

Banka Botërore mbështetë Kosovën për shtrirjen e internetit në vendet rurale

Për t’i hapë rrugën mundësive të zhvillimit në pjesët rurale të Kosovës nevojitet qasja në informata dhe në infrastrukturën komunikuese. Në këtë mënyrë, Banka Botërore (BB) dhe Ministria e Zhvillimit Ekonomik (MZHE), zyrtarisht kanë filluar fazën e parë të projektit të mbështetjes teknike të financuar përmes grantit, me titull “Innovative and Green Growth for Rural Areas of Kosovo”, që synon sigurimin e një platformë analitike për shtrirjen e infrastrukturës për internet brezgjerë nëpër komunat rurale që aktualisht janë më pak të mbuluara të Kosovës, duke krijuar një platformë të qëndrueshme për rritje inovative dhe të gjelbër.

Një numër i komunave rurale në Kosovë që njëkohësisht kanë numër më të madh të familjeve të varfrajanë të hendikepuara edhe për nga mundësitë e lidhjes në infrastrukturën brezgjerë dhe ekonomikisht të favorshme të internetit.
Sipas vlerësimeve të qeverisë, 43 për qind e familjeve rurale janë aktualisht pa qasje në internet brezgjerë kurse një e treta e këtyre familjeve nuk ka shumë gjasa që do të lidhen në këtë infrastrukturë në një të ardhme të afërt pa intervenim gjithëpërfshirës.

Në këtë drejtim aktiviteti i ndërmarrë është në harmoni të plotë me strategjinë e sektorit të Teknologjisë Informative dhe Komunikuese në Kosovë, “Politikat e Sektorit të Komunikimeve Elektronike – Agjenda Digjitale për Kosovën 2013-2020”, të cilat vendosin caqe dhe qëllime të qarta që duhet arritur në aspektin e mbulimit dhe të shpejtësisë së internetit brezgjerë për kokë banori dhe në nivel të ekonomive familjare.

“Qasja e dobët në infrastrukturën brezgjerë nuk është pengesë vetëm për zhvillimin e Telekomunikimeve dhe sektorit të Teknologjisë Informative, por shkakton pengesa edhe për plotësimin e nevojave dhe benefiteve që janë si rezultat i përdorimit të TIK për rritje të qëndrueshme dhe të pastër ekonomike, integrim rajonal ekonomik, gjenerimin e e-punësimit, zhvillimin e infrastrukturës së mençur dhe optimizimit të shërbimeve publike nëpërmjet e-shërbimeve”, tha Agim Kukaj, udhëheqës i Departamentit të Postë dhe Telekomunikacionit dhe Teknologjisë Informative në MZHE.

“Ajo që është gjithashtu e rëndësishme të theksohet është se për dallim nga Bashkimi Evropian, Kosova ka një pjesë të konsiderueshme të popullsisë rurale dhe asaj të moshës së re; shumica e popullatës sonë është rurale dhe mbi një e treta është 18 vjeç ose më e re. Është e qartë se me zgjerimin e internetit brezgjerë në zonat rurale, qeveria do t’i hapë rrugë mundësive të reja – sidomos për të rinjtë – të cilët kanë më shumë prirje për teknologji sesa grupmoshat tjera. Këto mundësi nënkuptojnë krijimin e vendeve të punës përmes TIK dhe zhvillimin e aftësive, të dyja këto janë thelbësore për rritjen e aftësisë konkurruese të vendit”, tha ai.

Komunat rurale me mbulueshmëri më të vogël ose kanë vendbanime të izoluara e dendësi të ulët të popullsisë ose janë të vendosura në terrene malore. Përvoja e gjatë mbi një dekadë në mbarë botën e shtrirjes së infrastrukturës për qasje në internet dëshmon se shpenzimet e shtrirjes së internetit brezgjerë në zona të tilla të vështira gjeografike janë shumëfishi i atyre në zonat urbane. Edhe kur bëhet shtrirja e tillë, kostoja e shërbimit brezgjerë zakonisht nuk është e përballueshme për popullsinë rurale, që shpesh është relativisht e varfër. Pa intervenime të duhura të qeverisë në zonat rurale, ku përfshihet shfrytëzimi i mjeteve publike, nuk mund të jetësohet një shërbimi brezgjerë universal. /Telegrafi/