Kriza politike është arsyeja kryesore që ka ndikuar në rënien ekonomike, duke ndikuar kështu mbi konsumin dhe investimet në Maqedoni, theksohet në raportin vjetor të Bankës Botërore, me ç’rast rritja ekonomike në Maqedoni deri në fund të këtij viti nuk arrin më shumë se 1.5 për qind, duke shënuar kështu rritjen ekonomike më të ulët krahasuar me vendet e rajonit.
Megjithatë, projeksionet për Maqedoninë flasin se gjatë 2018, rritja ekonomike do të arrijë 3.2 për qind, përderisa për vitin 2019 parashihet që rritja ekonomike të arrijë 3.9 për qind të bruto prodhimit vendore.
“Ne kemi projektuar se gjatë vitit 2018-2019, rritja ekonomike do arrijë 3.5 për qind të bruto prodhimit vendor, ndërkohë që me vendosjen e dialogut politik në Maqedoni, presim të sanohen dëmet që janë shkaktuar mbi konsumin dhe investimet, duke eliminuar goditjet që i ka marrë ekonomia e Maqedonisë gjatë krizës politike”, ka theksuar drejtori i Bankës Botërore për Maqedoni, Marko Mantovaneli.
Në raportin e Bankës Botërore thuhet se këtë vit Shqipëria, Kosova dhe Mali i Zi kanë shënuar rritje të rëndësishme, falë projekteve të mëdha të financuara nga investime të huaja të drejtpërdrejta, por edhe eksporti më i madh kur bëhet fjalë për Kosovën.
Pas Maqedonisë, në raport radhitet Serbia si shtet që ka shënuar rënie rritja ekonomike, si rrjedhojë e temperaturave të ultë gjatë janarit dhe shkurtit, që shkaktoi ulje të prodhimtarisë bujqësore dhe aktivitetit në sektorin e ndërtimtarisë.
Konsumi ka sjellë rritje stabile në Bosnjë e Hercegovinë, gjatë dy vitet e fundit.
Sa i përket Maqedonisë, nga Banka Botërore kanë fokusuar si më problematike shkallën e lartë të papunësisë.
“Si shumë të rëndësishme do ta kisha fokusuar problemin me shkallën e lartë të numrit të personave që nuk janë të kyçur në sistemin e punës, si dhe shkallën e lartë të papunësisë në mesin e të rinjve”, ka theksuar ekonomisti në zyrën e Bankës Botërore në Maqedoni, Bojan Shimbov.
Nga Banka Botërore kanë theksuar nevojën e krijimit të politikave për hapjen e vendeve të punës përmes stimulimit fiskal.
Në raportin e Bankës Botërore theksohen gjithashtu edhe harxhimet në rritje për pensionet dhe ndihmat sociale në kurriz të investimeve kapitale, që ndikon në rritjen ekonomike.
Raporti theksohet se në vendet e Ballkanit Perëndimor, në gjysmën e parë të këtij viti janë hapur 230.000 vende pune, që është rritje prej 3,8 për qind, në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, ndërsa gjendja është e njëjtë si para paraqitjes së krizës botërore në vitin 2008.