Telegrafi

Banka Botërore: Kriza greke rrezikon rajonin

Filip lë Heru, zëvendëspresidenti i Bankës Botërore për Europën dhe Azinë Qendrore deklaroi përpara takimit të përvitshëm të FMN-së dhe Bankës që po zhvillohet këto ditë në Uashington se Banka po e mbikëqyr me kujdes këtë situatë.

“Ne po e monitorojmë nga afër gjendjen në Greqi për shkak të lidhjeve të shumta dhe të rëndësishme që ekonomia helene ka me disa ekonomi të rajonit – tha Lë Heru.

Numri dy i bankës shtoi gjithashtu se Banka Botërore nuk ka ende ndonjë program për të ndërhyrë në Greqi, por është e shqetësuar se rënia e tregtisë dhe kredive që japin bankat helene mund të ketë pasoja për ekonomitë fqinje në zhvillim.

“Ne shpresojmë se situata do të përmirësohet shpejt, parë kjo nga këndvështrimi i vendeve tona partnere, të lidhura fort me ekonominë greke dhe në të cilat banka ka programe”, deklaroi Lë Heru.

Më tej, në një intervistë për “Reuters”, numri dy i Bankës për Europën tha se një tjetër problem mbetet edhe rënia e dërgesave, nga Greqia, ku Shqipëria do të ishte më e prekura.

Greqia është një nga dy partnerët më të rëndësishëm ekonomik të Shqipërisë, me lidhje të forta jo vetëm në tregti, por edhe sistemin bankar. Në këtë pikë, ekspertët i druhen faktit se situata e vështirë financiare e Greqisë mund të detyrojë degët e bankave greke të reduktojnë në mënyrë drastike kredidhënien.