Kosova ka vazhduar të bëjë përmirësime në mjedisin rregullator për biznes, thuhet në Raportin e ri të Bankës Botërore, “Të Bërit Biznes 2017”.
Këtë vit, Kosova renditet në vendin e 60-të për lehtësinë e të bërit biznes. Kjo renditje nuk është e krahasueshme me atë të publikuar në raportin e “Të Bërit Biznes 2016”, thuhet në raport, kur Kosova ishte radhitur në vendin e 66-të, për shkak të zgjerimit të metodologjisë.
Raporti ka konstatuar përmirësim substancial të Kosovës në dy fusha. E para, Kosova ka bërë pagesën e tatimeve më të lehtë, duke vënë në funksion një sistem online për plotësim dhe pagesën e TVSH-së dhe kontributeve të sigurimit shoqëror.
Dhe e dyta, Kosova e ka bërë tregtinë përtej kufijve më të lehtë, duke zvogëluar kohën dhe koston e mbledhjes së dokumenteve të nevojshme, duke thjeshtësuar proceset për lejet doganore dhe duke zbatuar korridorin transit Shqipëri-Kosovë, thuhet ndër të tjera në këtë raport. /Telegrafi/