Telegrafi

Banka Botërore, 20 milionë dollarë për Ministrinë e Administratës Publike

Banka Botërore tashmë ka lansuar Strategjinë Kalimtare të Grupit të Bankës Botërore për Kosovën 2010- 2011, në vlerë prej 87.5 milionë dollarë, pjesë e së cilës janë edhe dy projekte të cilat kanë të bëjnë drejtpërdrejtë me Ministrinë e Administratës Publike.

Projekti i parë ka të bëjë me Modernizimin e Sektorit Publik dhe kap vlerën prej 8 milionë dollarë, i cili do të përdoret për implementimin e Ligjit për Shërbimin Civil dhe Sistemin e ri të pagave, miratimi i të cilave Ligje pritet të bëhet shpejt nga ana e Parlamentit. Kjo do të ndikojë drejtpërdrejtë në Reformimin e Administratës Publike.

Gjithashtu, ky grant do të reflektoj edhe në prokurimin elektronik dhe krijimin e Qendrës së të Dhënave. Ndërkaq, projekti i dytë është RECAP , në vlerë prej 12.3 milionë dollarë.

Ky projekt ka të bëjë me Kadastrën dhe konsiston në rregullimin e plotë të sistemit kadastral të Kosovës, ngritjen e kapaciteteve, rregullimin regjistrit të të drejtave pronësore, në hartimin dhe forcimin kornizës ligjore dhe funksionalizimin e plotë të zyrave komunale kadastrale.

Në këtë takim ministri Bajrami ka falënderuar Bankën Botërore për bashkëpunimin dhe mbështetjen,duke e konsideruar investimin e BB si shumë të qëlluar dhe në anën tjetër shumë të rëndësishëm për një shtet të ri, ku modernizimi i administratës Publike është i rëndësisë së veçantë.

Nga ana e tij, shefi i Zyrës së Bankës Botërore në Kosovë, Ranjit Nayak, ka shprehur kënaqësinë e tij për bashkëpunimin.

“Duke e vlerësuar marrëdhëniet shumë të mira, dhe gjithsesi punën e madhe dhe të shkëlqyeshme të ministrit Bajrami, stafit të tij në ministri, Banka Botërore është fokusuar në Ministrinë e Administratës Publike.

Përvoja e mirë në të kaluarën ka bërë që ne të vendosim që t’i çojmë përpara këto projekte të cilat janë themeli i programeve në këtë strategji” ka thënë z. Nayak në këtë takim.

Ministri Bajrami dhe Nayak në fund të takimit janë prononcuar për mediat elektronike dhe të shkruara.