Telegrafi

Banka angleze çon në falimentim blerësin e Llamkosit

Blerësi i gjigantit Llamkos ka falimentuar edhe zyrtarisht, duke e quar në dështim edhe ndërmarrjen më të madhe dhe më profitabile në Komunë Vushtrrisë, Llamkos. Nga ky falimentim kanë mbetur pa punë qindra punëtorë.

Zëdhënësi i Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP), Ylli Kaloshi tha për Telegrafin se bëhet fjalë për falimentim të blerësit të Llamkosit. “Gjykata Themelore e Prishtinës ka marrë këtë vendim, me kërkesë të një banke angleze”, tha ai.

Sipas Kaloshit, blerësi i ndërmarrjes Llamkos, Coresteel, respektivisht Jeton Sadiku, kishte marrë kredi në këtë bankë, por nuk kishte paguar borxhet dhe banka kishte kërkuar inicim të falimentimit në Gjykatë.

Por, ai thekson se detaje të tjera AKP-ja do të mund të ofroj ditëve të ardhshme. E pas falimentimit, Gjykata ka caktuar edhe një administrator në ndërmarrjen Llamkos, i cili do të ketë të drejta ligjore mbi gjithë pasurinë e ndërmarrjes.

Ndryshe, ishte Jeton Sadiku, pronari i Coresteel që e bleu vite më parë këtë ndërmarrje, duke premtuar se po sjellë përvojën angleze dhe do ta zhvillojë dhe rrisë atë. Por sot kjo ndërmarrje ka rënë në fund të pusit. Prodhimi ka kohë që është ndërprerë në Llamkos, derisa mbi 400 punëtorë kanë mbetur në mëshirë të fatit. /Telegrafi/