Site icon Telegrafi

Banesat sociale i lëshojnë me qira

Në tri ndërtesat e banimit social, të cilat janë ndërtuar me mjetet e Qeverisë së Zvicrës, Emirateve të Bashkuara Arabe dhe të Qeverisë së Kosovës, mbi 50 për qind e familjeve përfituese kanë nga dy e më shumë të punësuar, kanë edhe shtëpi në fshatra prej nga vijnë.

Disa nga përfituesit i mbajnë banesat mbyllur dhe nuk jetojnë fare në to. Me asgjë tjetër, përveç se kanë emrin banesa sociale, nuk dallojnë nga ndërtesat tjera të larta banesore në qytetin e Skenderajt.

Ndërtimi i tyre kishte filluar në vitin 2004, ndërsa përfituesit e këtyre tri ndërtesave sociale, që janë ndërtuar me mjetet e Qeverisë së Zvicrës, Emirateve të Bashkuara Arabe dhe të Qeverisë së Kosovës, janë kryesisht familje që kanë pasur të zgjidhur çështjen e banimit, madje shumë prej tyre kanë akoma shtëpi nëpër fshatrat e tyre.

Komisionet e formuara për ndarje të banesave nuk kishin përfillur kriteret, pasi që në ato banesa kanë gjetur strehim edhe familje që kanë nga disa të punësuar në institucionet e shtetit, shkruan gazeta Zëri.

Familje, raste sociale ka më së paku në to, ndonëse objektet banesore janë ndërtuar ekskluzivisht për raste sociale, familje që kanë jetuar në kushte të vështira të banimit.

Kontratat familjeve përfituese u janë lëshuar për dy vjet, pas të cilave, siç ishte thënë, do të formohej një komision, i cili do të vlerësonte, nëse familjet e strehuara kanë përmirësuar gjendjen, në mënyrë që në vend të tyre të vijnë familje të tjera nga lista e familjeve që kërkojnë strehim nëpërmes Drejtorisë për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale.

Në Komunë, ndërkaq kanë thënë se është formuar një komision i cili do ta konstatonte gjendjen, por ai ka mbetur vetëm në letër. /Telegrafi/

Exit mobile version