Telegrafi

Banesa ‘më e hollë’ e Londrës shitet për 1.1 milion euro

Apartamenti pesëkatësh më i veçantë i Londrës ka dalë në shitje për rreth 1.1 milionë euro.

Objekti në perëndim të kryeqytetit britanik dallohet që nga fasada e jashtme.

Por tipari vërtet dallues nuk është ngjyra e saj blu, por brendësia dhe dimensionet.

“Shtëpia është e veçantë ngaqë është unike. Në Londër nuk ka shtëpi tjetër që të jetë 1 metër e 60 centimetra e gjerë në pikën më të ngushtë dhe me kaq individualitet, me kaq historik. Është pak si magjia e Londrës”, thotë Devid Mayers, agjenti që po përpiqet ta shesë banesën, përcjell Ora News.

Hapësira e banimit në pallat sa vjen e ngushtohet me ngjitjen e kateve, duke përfunduar edhe me një kopsht në majën e vet.

Mayers pranon se bukurinë e saj nuk para e vlerësojnë të gjithë, më shumë e pëlqejnë ata me një lloj shijeje prej artisti.

“E vërteta është se në këtë hapësirë mund të jetojnë një numër i kufizuar njerëzish. Dhe prej situatës së tanishme me COVID-19, nuk kemi edhe aq blerës”, thotë ai.

Çmimi mesatar i apartamenteve në Britani të Madhe është 250 mijë stërlina [285 mijë euro].

Ndërkohë banesa e veçantë është dyfishuar në vlerë në 15 vite dhe tani llogaritet në 950 mijë stërlina [1.1 milion euro].

Ndër blerësit e saj ka qenë një aktor i njohur britanik, Sajmon Uds dhe fotografi i modës, Jurgen Teler. /Telegrafi/