Trupat ushtarake braziliane janë duke u vendosur në shtetin e Espírito Santo, pas plaçkitjeve, përdhunimeve dhe vrasjeve që shpërthyen, ndërkohë që policia ushtarake hyri në grevë.
Siç shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi, kaosi është krahasuar me filmin triller “The Purge”, në të cilin njerëzit shfrytëzojnë mungesën e rendit dhe ligjit për të kryer krime të tmerrshme.
Banditët shkaktojnë trazira, me njerëz të shfrenuar me armë dhe hanxharë, dyqane duke u grabitur, autobusë të vënë në zjarr dhe të vdekur të lënë të shtrirë në rrugë.
Ndërkohë, thuhet se Qeveria federale braziliane urdhëroi dërgimin e trupave ushtarake në qytetin e Vitoria, në veri lindje të Rio de Janeiro, i cili është lënë në mëshirën e kriminelëve.
Ministria e mbrojtjes tha se ushtarët ishin duke u dërguar “për shkak të situatës serioze të sigurisë publike”.
Gati të gjitha këto thuhet se kanë ardhur pasi oficerët e policisë kanë qenë duke bllokuar stacionet policore në shenjë proteste kundër pagave të papaguara.
E mediat vendase kanë thënë se niveli i krimeve është katërfishuar gjatë fundjavës së fundit, përcjell Telegrafi.
Mediat vendase kanë publikuar pamjet e autobusëve të djegur dhe shkatërruar, dyqane të plaçkitura, vetura të dëmtuara dhe një turmë që ikë nga paniku i atyre që duken të shtëna armësh.
Nxënësit thuhet se kanë qëndruar në shtëpitë e tyre, dhe vazhdimi i mësimit do të varet nga situata e sigurisë.
Vitoria me rrethinat e veta kanë një popullsi prej 1.8 milionë banorë, ndërsa një total prej 3.9 milionë jetojnë në shtetin Espirito Santo.
Përveç shkollave të mbyllura, edhe ndeshjet e futbollit janë anuluar në zonat e prekura për shkak të mungesës së sigurisë. /Telegrafi/