Telegrafi

Ban Ki-Moon: Kosova e qetë vetëm në sipërfaqe

"Situata e përgjithshme e sigurisë, në sipërfaqe mbetet e qetë, me protesta relativisht të vogla dhe me incidente të zvogëluara të dhunës. Megjithatë, ekziston tensioni i fshehtë, por i vërejtshëm, që është pjellë e dëshpërimit të popullit të Kosovës me zvarritjen e procesit të statusit”, thuhet në raportin e sekretarit Ban Ki-Moon, i cili – krahas vlerësimeve të shefit të UNMIK-ut, Joachim Ruecker – do të prezantohet para Këshillit të Sigurimit të OKB-së, më 9 ose 10 tetor.

Raporti, i cili (sipas Tanjugut, i cili ka botuar pjesët nga ky raport) është punuar më 28 shtator, i potencon si kundërshtar më të mëdhenj të zvarritjes së statusit të ardhshëm të Kosovës, liderin e Vetëvendosjes, Albin Kurti, dhe Shoqatën e Veteranëve të Luftës të UÇK-së.

Në raportin prej 23 faqesh, po ashtu thuhet se, sulmi kundër pjesëtarëve të SHPK-së nga radhët e minoriteteve është tregues i tensioneve në Kosovë. Ndërkaq aty flitet edhe për armatimin e konfiskuar të AKSH-së, zgjedhjet në Kosovë, kthimin e të shpërngulurve nga Kosova, të ikurit nga Burgu i Dubravës etj.