Telegrafi

Ban Ki Moon kërkon hapa për klimën

Duke folur para kryetarëve të shteteve dhe ministrave të mjedisit në konferencën e OKB-së për ndryshimet e klimës, që po zhvillohet në Bali të Indonezisë, Ki-Moon tha se duhet të dëgjojmë shkencëtarët që thonë se është koha për të vepruar tani.

"Shkenca po flet qartë, ndryshimet e klimës janë një realitet, pasojat janë gjithashtu reale, prandaj duhet vepruar tani. Duke qenë krijues, ne mund ta ulim nivelin e emetimit të gazrave që shkaktojnë efektin serë dhe, njëkohësisht, të stimulojmë rritjen ekonomike. Në këtë kuptim, ndryshimet e klimës përbëjnë një shans për të hapur një epokë të re të ekonomisë së gjelbër dhe të një zhvillimi vërtetë të qëndrueshëm", tha ai.

Ai e bëri të qartë se çfarë priste nga takimi i Balit. "Ajo që bota pret nga takimi i Balit, është arritja e një marrëveshjeje paraprake për fillimin e negociatave për një marrëveshje të përgjithshme për ndryshimet e klimës. Duhet përcaktuar një agjendë, një grafik për një të ardhme më të sigurt për klimën, si dhe një afat kohor i ngushtë për arritjen e një marrëveshjeje nga viti 2009", tha sekretari i përgjithshëm i OKB-së.

Protokolli ekzistues i Kyotos për ndryshimet e klimës skadon në vitin 2012. /bbc/