Site icon Telegrafi

Bambit ia sheh sherrin edhe Prishtina!

KB “Bambi”, skuadra e basketbollit nga Mitrovica, anëtare e elitës së basketbollit të Kosovës, pas incidentit të një jave më parë që ndodhi në Mitrovicë, kur provokuan me sjelljet e tyre publikun në palestrën “Minatori”, të mërkurën këtë e bënë edhe ndaj publikut prishtinas në ndeshjen kundër Sigal Prishtinës, e cila u zhvillua në Palestrën e sportit në kryeqytet.

Këtë herë basketbollistët e “Bambit” , siç u pa edhe nga xhirimet televizive ishin në mbrojtje të forcave të shtuara të rendit dhe të njësive speciale të policisë së Kosovës, forca këto të cilat këtë herë nuk ishte në nivelin e detyrës. E themi këtë, pasi ata pa ndonjë shkas të madh në përfundim të ndeshjes, mësyn pa paralajmërim tifozët prishtinas, duke i goditur dhe spërkatur me sprej, duke krijuar kështu një kaos të vërtetë në palestër, me ç’rast sipas njoftimeve të para pati edhe shumë tifozë e madje edhe fëmijë të lënduar.

Natyrisht në rrëmujën e krijuar e kanë pësuar edhe disa policë, të cilët sipas njoftimeve të para kishin tejkaluar autorizimet e tyre, të cilat siç u pa edhe në xhirimin e TV Arta, nuk kishin marrë urdhër për ndërhyrje nga komandanti i tyre.

Është kjo pra hera e dytë, që skuadra nga veriu i Mitrovicës, e përbërë etnikisht nga basketbollistë serbë, shkakton incidente të rënda, të cilat kanë mundur të kenë edhe pasoja tragjike. Po shihet qartë se “Bambi” është një skuadër politike e jo sportive, siç do të duhej të jetë. Për përbërjen e tillë etnike të “Bambit” një pjesë bukur të madhe të fajit e kanë edhe drejtuesit e basketbollit të Kosovës, të cilët gjatë kësaj periudhe kanë bërë të pamundurën, që kësaj skuadre serbe t’ia sigurojnë donacionet për pjesëmarrje në elitën e basketbollit të Kosovës, mjete këto të cilat janë siguruar nga ministria e sportit.

Sportit të Kosovës, basketbollit, nuk i duhen skuadra politike, siç është tash “Bambi”. Mitrovica, përkatësisht skuadrat mitrovicase vazhdimisht kanë qenë të hapura edhe për basketbollistë të nacionaliteteve të tjera, kroatë, boshnjakë e sllovenë e pse jo edhe serbë. Kështu kanë vepruar edhe klubet tjera sportive në Kosovë, Sigal Prishtina, KB Peja e të tjera. Prandaj, nuk është zgjidhje për sportin e Kosovës formimi i skuadrave etnike, por inkuadrimi i nacionaliteteve të tjera në skuadrat ekzistuese.

“Bambi” tashmë e dëshmoi se nuk është skuadër e denjë që të jetë pjesë e elitës së basketbollit të Kosovës. Incidentet që ndodhën në Mitrovicë dhe së fundi në Prishtinë e vërtetojnë më së miri këtë. Sporti i Kosovës nuk ka vend për skuadra politike, haraçin e të cilave e paguajnë basketbollistët dhe tifozeria shqiptare.

Presim që për këtë sulm të papritur ta thotë fjalën e tij edhe ministri i Ministrisë së Punëve të Brendshme, z. Bajram Rexhepi, në mënyrë që ndaj nismëtarëve të sulmit ndaj tifozëve të merren masa të rrepta, në përputhje me ligjet në fuqi, ngase animi i tifozëve dhe fyerjet që ata i bënë ndaj skuadrës udhëtuese apo qoftë edhe policisë nuk mund të jenë shkas për ndërhyrje…

Exit mobile version