Telegrafi

Balotelli shënoi në debutimin e tij, por Marseille regjistroi humbjen e tetë sezonale

Mario Balotelli (Twitter/ Football 24/7/Screenshot/beinSports)

Ditë më parë, sulmuesi italian, Mario Balotelli, vendosi ta vazhdonte karrierën në Ligue 1, por kësaj radhe të Olympique Marseille.

28-vjeçari e kishte ndërprerë më herët kontratën me Nice dhe nga ky afat kalimtar do të luajë për kampionin e nëntëfishtë francez.

Të premten mbrëma, ai ka debutuar për klubin e ri në ndeshjen kampionale kundër skuadrës së Lille.

Balotelli hyri në lojë si zëvendësues në minutën e 74 duke zënë vendin e mbrojtësit Boubacar Kamara.

Lexo po ashtu Lajmet për BALOTELLIN

Në minutat shtesë (90’+5), ai arriti që të realizonte me kokë, pas një harkimi nga këndi të Kevin Strootman.

Megjithatë, ky gol nuk i ndihmoi ekipit të tij për rezultat pozitiv, pasi Marseille pësoi në Velodrome me rezultat 2-1.

Olympique Marseille pozicionohet në vend të shtatë në tabelën e Ligue 1, me 31 pikë, gjashtë më pak se pozita që çon në Ligën e Kampionëve. /Telegrafi/