Përzgjedhësi i Italisë, Giampiero Ventura, ka thënë se Mario Balotelli është lënë jashtë përfaqësueses për arsye që nuk kanë të bëjnë me futbollin dhe se e ardhmja e sulmuesit është në duart e tij.
SuperMario për herë të fundit ka luajtur për Azzurrët në Kampionatin Botëror të vitit 2014, ndërsa përkundër sezonit të suksesshëm me Nice, ku ka shënuar 17 gola, ai nuk është ftuar nga trajneri.
“Nuk është një problem teknik i cilësisë, por diçka tjetër. Asnjëherë nuk kam qenë trajner i tij dhe kur e kam takuar ia kam bërë të ditur se problemi i tij ishte shumë i qartë”.
“Jam munduar t’ia tregoj rrugën e kthimit për t’u bërë lojtar i madh për ekipin kombëtar”.
“Ai nuk mund të vijë vetëm për t’i plotësuar numrat. Ky është viti i Kampionatit Botëror dhe është një vendim që ai duhet ta marrë”, ka deklaruar Ventura.
Italia sot (e mërkurë) zhvillon një ndeshje miqësore kundër Uruguait në Allianz Riviera. /Telegrafi/