KQZ ka bërë të ditur se janë numëruar të gjitha fletëvotimet në Komunën e Drenasit. Edhe pse kandidati i PDK-së, Ramiz Lladrovci po prin me vota Drenasi shkon në balotazh.
Për rezultatin ka reaguar kundërkandidati i Lladrovcit nga Demokratët për Drenasin, Driton Ajazi.
Në një shkrim në llogarinë e tij në Facebook, ka thënë se votimi i së dielës ishte vullnet për ndryshim.
Ajazi u shpreh se qytetarët me 17 tetor mbytën frikën në Drenas.
“Unë e kam kuptuar drejt vullnetin tuaj të djeshëm. Ishte vullnet për ndryshim, para së gjithash. Ju e mbytët ambientin kërcënues e shantazhues të këtij pushteti. E mbytët frikën. Dhe, votuat për ndryshimin që ndodhi. Ju falënderoj shumë secilin nga ju, pavarësisht ngjyrimit politik”, tha Ajazi.
Tutje duke e quajtur Lladrovcin, kryetar në ikje ka kërkuar sërish mbështetje.
“E keni parë që dallimet politike i kemi lënë anash ne që e duam ndryshimin. Prandaj, krahas projekteve që shpalosëm, në fushatë kishim një mision bashkërisht: ta demaskojmë kryetarin në ikje, t’ia përplasim fytyrës të bëmat, me qëllimin që ta marrë ndëshkimin tuaj”, shkroi ai.
Ajazi beson se iniciativat e tjera do t’i bashkohen për ta rrëzuar kryetarin aktual.
“I falënderoj pa fund Fejzinë, Xhavitin, Artën e Anduenën që dhanë këtë kontribut për të ardhur tek rezultati i ndryshimit. Ju garantoj se idetë dhe projektet e juaja për Drenasin do t’i shtyjë përpara, pasi kjo është fryma e demokracisë që qytetarët e Drenasit e dëshirojnë, të bashkuar për ndryshimin e madh që do i vjen komunës sonë”, shprehet tutje.
“Ky rezultat na ka vu si barrë përgjegjësinë për të dhënë atomin e fundit nga vetja, në mënyrë që vullnetin qytetar për ndryshim ta çojmë deri në fund, duke i sublimuar energjitë e të gjithë spektrit politik kundër pushtetit tashmë të rënë”, theksoi kandidati i DD-së.
Në fund tha se hisedarë në këtë rezultat “jemi të gjithë dhe të gjithë nesër duhet të participojmë në zhvillimin dhe transformimin e Drenasit”.
Sipas të dhënave të publikuara nga KQZ-ja, rezultatet janë si më poshtë:
Ramiz Lladrovci (PDK ) – 45,62%
Driton Ajazi (DD) – 30,74%
Fejzi Kiqina (LVV) – 16,91%
Xhavit Drenori (GDP) – 4,04%
Arta Ahmeti – Xhylani (AAK) – 1,75%
Anduena Gllareva (LDK) – 0,94%
/Telegrafi/