Site icon Telegrafi

Balona që do t’i dërgojë gjashtë persona në hapësirë për të ngrënë darkë, bileta për një person kushton 495 mijë dollarë

Disa restorante mund të premtojnë një eksperiencë jashtë kësaj bote, por asnjë nuk mund ta japë atë si kjo.

Kuzhinieri me dy yje të Michelin, Rasmus Munk i Alchemist në Kopenhagë, ka njoftuar se do t’ju ofrojnë darkuesve mundësinë për të ngrënë një vakt në skaj të hapësirës.

Vitin e ardhshëm, gjashtë turistë me fat – dhe jashtëzakonisht të pasur – do të kenë mundësinë të hipin në një ‘balonë hapësinore’ 3.5 km mbi nivelin e detit, transmeton Telegrafi.

Gjatë eksperiencës gjashtë-orëshe, do të servohen ‘pjata të frymëzuara nga roli i eksplorimit të hapësirës’. Por me një çmim astronomik prej 495 mijë dollarësh për biletë, ky mund të jetë një çmim i lartë për të paguar për një restorant ‘pa atmosferë’.

Ekspedita e kuzhinës do të zhvillohet në anijen kozmike Neptun të Space Perspective. Pavarësisht nga emri i saj, kjo anije nuk është në të vërtetë një anije kozmike, por një kapsulë me presion të varur poshtë një tullumbace të madhe me hidrogjen.

Pa asnjë raketë apo motor reaktiv, fluturimi supozohet të jetë mjaft i butë për këdo që të marrë pjesë dhe pa pasur nevojë për ndonjë trajnim.

Balona është planifikuar të ngrihet nga Florida me një shpejtësi mjaft të butë prej 19 kilometra në orë. Në pikën e saj më të lartë, konsumatorët do të jenë në gjendje të shikojnë Tokën përmes dritares më të madhe të marrë ndonjëherë në hapësirë.

Sipas Munk, darka do të shërbehet ndërsa të ftuarit do të shikojnë diellin duke lindur mbi lakimin e Tokës. E rëndësishmja, ai thekson se anija nuk do të hyjë në mikrogravitet gjatë fluturimit, kështu që të ftuarit dhe ushqimi nuk do të përjetojnë mungesë peshe. /Telegrafi/

Exit mobile version