Site icon Telegrafi

Balluku: Shqipëria ka përafruar plotësisht angazhimin e ri të industrisë së mbrojtjes të NATO-s

Në Tiranë nisi sot punimet Grupi Ndërkombëtar i Punës për Sigurinë Industriale (MISWG), organizuar për herë të parë në Shqipërisë dhe që mblodhi përfaqësues nga 38 shtete të ndryshe dhe 5 struktura të organizatave dhe institucioneve ndërkombëtare, përfshirë NATO dhe BE.

Zëvendëskryeministrja Belinda Ballukunë fjalën e saj bëri të ditur se është thelbësore të ndërtojmë qëndrueshmëri kibernetike kombëtare dhe të krijojmë bashkëpunim të fortë me aleatët dhe me partnerët tanë.

“Nëse ka një fushë më specifike në të cilën asnjë nga ne nuk bën dot i vetëm, padyshim kjo është siguria.

Gjatë dekadës së fundit, theksoi Balluku, fusha e sigurisë është transformuar në mënyrë dramatike dhe bashkë me këtë ndryshim janë shtuar edhe kërkesat për zgjerimin e industrive tona të mbrojtjes.

Sipas saj, aktorë shtetërorë dhe joshtetërorë, po përdorin gjithnjë e më shumë operacione hibride dhe influencë dashakeqe për të projektuar fuqinë dhe për të minuar rendin global.

“Luftërat e sotme zhvillohen jo vetëm në fushëbetejë me armë konvencionale, por dhe në hapësirën kibernetike, ku infrastruktura kritike, linjat e furnizimit dhe industritë e mbrojtjes janë objektivat e tyre të preferuara”, u shpreh ajo.

Shqipëria, solli në vëmendje Balluku, ka mësuar shumë nga sulmi i paprecedent kibernetik i kryer nga aktorë të sponsorizuar nga shteti, i cili synoi infrastrukturën e saj kritike të informacionit dhe ndërpreu shërbimet publike.

“Një nga gjërat më të rëndësishme që mësuam është se, pavarësisht nga madhësia e shtetit, është thelbësore të ndërtojmë qëndrueshmëri kibernetike kombëtare dhe të krijojmë bashkëpunim të fortë me aleatët dhe me partnerët tanë. Kjo na çon në çështjen thelbësore të zinxhirit të furnizimit, i cili përbën një nga dobësitë më serioze globalisht”, deklaroi Balluku.

“Çrregullimet globale, duke filluar nga pandemia deri te kompleksiteti në rritje i zinxhirëve të furnizimit industrial dhe të mbrojtjes”, nënvizoi Balluku, “kanë ekspozuar brishtësinë e këtyre rrjeteve”.

Balluku theksoi se “sjellja agresive e aktorëve shtetërorë dhe joshtetërorë pengon aftësitë tona për të mbajtur zinxhirët e furnizimit të qëndrueshëm, të cilët janë thelbësorë për prodhimin e mallrave ushtarakë dhe operacioneve të mbrojtjes”.

“Ndërprerjet dhe rreziqet e zinxhirëve të furnizimit në mbarë botën përkojnë me vendimin e NATO-s për të rritur fondet e mbrojtjes në Samitin e Uashingtonit”, tha ajo.

Aleatët e NATO-s, shtoi Balluku, kanë marrë hapa të rëndësishëm për të forcuar qëndrueshmërinë dhe mbrojtjen e industrive tona të mbrojtjes.

Sipas saj, këto buxhete të rritura përfaqësojnë jo vetëm një investim në pajisjet ushtarake, por edhe një angazhim për të siguruar infrastrukturën industriale që i mbështet ato.

“Shqipëria, si një anëtare e NATO-s, e ka kuptuar kërkesën strategjike për krijimin e një industrie të fortë të mbrojtjes për të zbatuar strategjinë e shkurajimit dhe mbrojtjes së NATO-s. Si rezultat, Shqipëria ka përafruar plotësisht Angazhimin e Ri të Industrisë së Mbrojtjes të NATO-s dhe ka kryer një rishikim të plotë të dokumenteve strategjike dhe kuadrit ligjor për të adresuar ringjalljen e industrisë së mbrojtjes”, deklaroi Balluku.

Ky takim, tha ndër të tjera Balluku, zhvillohet pikërisht në një moment shumë deçiziv për ringjalljen e industrisë tonë të mbrojtjes, kur vetëm në mbyllje të sesionit veror të parlamentit ne kemi arritur që të kalojmë një sërë ligjesh, të cilat tashmë kanë nisur zbatimin e tyre dhe shumë shpejt do të kemi edhe rezultatet e para.

“Ku kuadër i ri rregullator promovon zhvillimin e kapaciteteve industriale të mbrojtjes dhe përmirëson zbatimin e standardeve për të rritur ndërveprueshmërinë dhe sigurinë, duke hequr gjithashtu pengesat për tregtinë dhe investimet mes aleatëve dhe partnerëve”, tha ajo.

Në këtë kornizë më të gjerë, theksoi Balluku, vihet re qartazi kalimi i Shqipërisë nga një konsumator i sigurisë në një ofrues sigurie në rajon.

“Interesat tona strategjike janë në përputhje me ato të demokracive perëndimore, janë në përputhje me kërkesat e NATO-s dhe BE-së. Jemi shumë të vetëdijshëm për sfidat në rritje të rajonit, që përfshijnë manipulimin e informacionit, përpjekjet destabilizuese dhe aktet armiqësore nga vende të treta në lidhje me interesat politikë sigurisht në radhë të parë, por më pas edhe ato dhe ekonomikë pikërisht në një nga zonat më të nxehta atë të Ballkanit Perëndimor”, u shpreh ajo. /Telegrafi/

Exit mobile version