Zëvendëskryeministrja e Shqipërisë, Belinda Balluku, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë deklaroi sot se Aeroporti Ndërkombëtar i Vlorës do të jetë gati për 18 muaj.
Gjatë fjalës së saj në Konventën Ndërkombëtare të Turizmit që po mbahet në Tiranë, Balluku tha se në verën që vjen do të jetë gati edhe tuneli i Llogarasë, raporton Telegrafi Shqipëri.
“Kërkesa e investitorëve për të investuar në bregdetin e Jugut ishte një aeroport jo më larg se 45 km. Ne nisëm një strategji agresive për zhvillimin e sektorit të aviacionit civil ku nga një aeroport ndërkombëtar tashmë kemi 2 dhe në 18 muajt në vijim do të kemi edhe aeroportin më të madh ndërkombëtar të rajonit që është Aeroporti i Vlorës. Aeroportet janë mbështetur edhe nga zinxhiri infrastrukturor. Në verën që vjen do të kemi edhe tunelin e Llogorasë të mbaruar dhe tashmë çdo pasagjer që zbret në Vlorë do të ketë akses edhe në brigjet jugore në vetëm 30 minuta”, tha Balluku
Zëvendëskryeministrja u ndal dhe në projektet e infrastrukturës rrugore që do të shërbejnë jo vetëm zhvillimit të vendit por edhe lidhjes me korridoret evropiane.
“Kemi nisur zbatimin e projekteve të mëdha që nuk janë të dobishme vetëm për Shqipërinë, por edhe rajonin. ‘Luftuam’ me Bashkimin Evropian për të njohur Korridorin 8, që lidh Detin Adriatik me Detin e Zi, si pjesë të korridoreve evropiane dhe e arritëm, duke insistuar, negociuar dhe me ndihmën e partnerëve, Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, etj. Luftuam dhe për të vënë në hartë Korridorin Blu që nis në Trieste (Itali) dhe përfundon ne Patra (Greqi)”, tha Balluku.
Balluku garantoi investitorët për stabilitetin politik, si një ndër elementët thelbësorë gjatë vendimmarrjes së tyre për të ardhur në Shqipëri. /Telegrafi/