Ballkani i Therandës ka vazhduar me rezultate pozitive në Ipko Superligën e Kosovës.
Skuadra e drejtuar nga Ismet Munishi ka marrë fitoren e dytë këtë edicion, ku kësaj radhe mposhti Trepçën ’89 me rezultat 3-2.
Therandasit e nisën për mrekulli ndeshjen, ku në minutën e parë realizuan nëpërmjet Arthur Maganit.
Në minutën e 11-të vendasit fituan penallti, por nga pika e bardhë dështoi kapiteni Visar Berisha.
Vetëm një minutë më vonë, super talenti i Ballkanit, Blend Baftiu përfitoi nga një gabim i portierit mysafir dhe shënoi për 2-0.
Me epërsinë prej dy golave përfunduan 45 minutat e para të kësaj sfide.
Edhe pjesën e dytë vendasit e nisën për mrekulli, ku Arbër Hoxha realizoi në minutën e 50-të për 3-0.
Trepça ’89 ngushtoi rezultatin në 3-1 kur realizoi Arb Manaj nga penalltia në minutën e 57-të.
Ndërkohë nëntë minuta më vonë, Manaj realizoi një tjetër gol për rezultatin përfundimtar 3-2.
Kjo fitore Ballkanin e dërgon në pozitën e parë në tabelë pas katër xhirove me tetë pikë, ndërsa Trepça ’89 që pësoi humbjen e parë mbetet e pesta me pesë pikë. /Telegrafi/