Ballkani ka qenë lider në Ipko Superligën e Kosovës për një kohë të gjatë, por që nuk ka arritur të marrë asnjë fitore në dy ndeshjet e para pas rikthimit të futbollit.
Skuadra e Ismet Munishit u ndal nga Drenica dhe Flamurtari në barazim 0-0, ndërsa në javën e 25-të është nikoqir i Trepçës ’89.
Ballkani synon të marrë fitoren e parë në fazën e tretë të kampionatit, pasi në të kundërt do të mbetej larg ndjekësve për titull.
Në anën tjetër për rezultat pozitiv në Therandë udhëtojnë edhe mitrovicasit që momentalisht janë në pozitë që i dërgon në Ligën e Parë.
Rëndësia e pikëve për të dyja skuadrave është garanci që një ndeshje e zjarrtë na pret në stadiumin e qytetit në Therandë me fillim nga ora 17:00.
Ndeshje shumë interesante pritet të zhvillohet edhe në Drenas, ku Feronikeli është nikoqir i Llapit.
Nikli pas eliminimit nga gjysmëfinalja e Kupës së Kosovës, tani të gjitha forcat i ka në kampionat dhe kërkon fitore që të mbetet afër me pikë nga skuadrat e kreut.
Kampioni në fuqi i Kosovës ende nuk është dorëzuar për vendin e dytë, vend që do t’i dërgonte në garat evropiane.
Të dyja ndeshjet e ditës së sotme do të fillojnë nga ora 17:00. /Telegrafi/