Site icon Telegrafi

Ballkani, si para pushtimit osman

Kohën kur ushtria osmane filloi pushtimin e Ballkanit, njeriu i sotëm vetëm mund ta imagjinoje, e sidomos se si mund të kenë qenë kufijtë e të ashtuquajturave shtete të kohës. Nuk kishte asnjë dokument relevant qe dëshmon se deri ku dhe cilat territore përfshinte cilido nga të ashtuquajturat principata a shtete, krejt të paorganizuara të Ballkanit, e as qe është dëshmuar kjo ndonjëherë. Për habi, ballkanasit edhe sot – po t’u epej rasti – me siguri do ta shndërronin rajonin ne territore të padefinuara me pretendime se cilido prej shteteve aktuale shtrihet prej këtu e deri atje, apo përfshinë këtë apo atë territor, apo ka këtë sipërfaqe…

Shume shënime te kohës, nga dijetari turk Evlia Çelebiu, dëshmojnë se asnjë qytet a vendbanim i kohës ne Ballkan nuk kishte fare administratë dhe asfare evidence qytetare. Kisha ortodokse, e cila sot thirret ne dokumentet e saj, nëse i ka shkruar këtë e kishte bere vetëm për nevoja te veta dhe në një ekzemplar te vetëm për te cilin nuk ka ditur askush përveç falsifikatoreve të kohës. Meritën e jashtëzakonshme të Evlia Çelebiut e ve në spikam edhe studiuesi e historiani gjerman Franc Babinger, i cili u mor një kohë të gjate me studimin historisë së Perandorisë Osmane.

Edhe luftërat e periudhës se mëvonshme kanë dëshmuar se kushdo nga fuqitë ndërkombëtare të kohës ia kanë dale ta pushtojnë secilin shtet të Ballkanit, pa ndonjë rezistencë të denjë. Konstruktimi i rrethanave të kohës, kur turqit depërtuan ne Ballkan, do të mund të behej lehtë edhe nga distanca e sotme historike.

Vetëm po të nisemi nga gjendja e sotme, kur pas shpërbërjes se ish RSFJ-se u pavarësuan gjashtë shtete – plus Serbia për të cilën nuk u tha asnjëherë se a mbeti trashëgimtare e kreaturës së vjetër, a është Serbi apo Jugosllavi – mund te shihet qartë pozicioni jo vetëm i një shteti të tashëm, por i të gjithëve pa përjashtim, se ata nuk prajnë se ëndërruari kufij të rinj dhe territore më të mëdha.

Jo pak faj ka sot bashkësia ndërkombëtare, e cila duke mbetur e paqartë në politikën e saj karshi Ballkanit, e që ka lejuar dhe vazhdon të tolerojë aso politike e cila Serbinë e njeh edhe si Jugosllavi, edhe si Serbi varësisht, nga dëshira e politikaneve se për ç’farë duan të flasin. Paqartësia, sidomos e Bashkimit Evropian në raport me vendet e Ballkanit, ka krijuar një situatë nga e cila nuk shihet asnjë shtegdalje, megjithëse vazhdimisht flitet për integrime e çka jo tjetër.

Ne çdo rast kur një politikan pragmatik thotë qartë atë që duhet bëre dhe emërton problemin me emër e mbiemër, siç pamë një herë kancelaren Merkel, apo tash se fundit edhe diplomatin Shulc, shkaktuan termet reagimesh e demantesh. Të gjithë te tjerëve sikur nuk iu bëhet vone dhe sikur intimisht duan që problemet e Ballkanit të zvarriten në pafundësi dhe nga kjo të përfitojë dikush, ndërsa për dalje nga kriza e rëndë dhe ballafaqimi me probleme edhe më të rënda as që bëhet fjalë. Madje, pas diplomatëve kredibël del në skenë sërish Dodiku me Republika Sërpskën, me vullnetin tashmë të njohur për të vizatuar kufij të rinj.

Vetëm prezenca dhe qartësimi i politikës ndërkombëtare ndaj Serbisë mund të garantojë paqen e qëndrueshme në Ballkan.

Po të shikohet gjendja aktuale e kufijve të shteteve që dolën nga shpërbërja e ish RSFJ-së, po të mos ishin prezentë me ndikimin e tyre fuqitë e mëdha, perspektiva e paqes në rajon do të ishte edhe shumë me e errët se qe duket tash.

Sllovenia u pavarësua pas një lufte të shkurtër por të vendosur, dhe shpejt u njoh nga shumica e shteteve. Pranimi i saj nuk u kontestua nga vendet fqinje. Jo shumë kohë më vonë shpallja e pavarësisë së Kroacisë solli fillimin e një lufte të tmerrshme, e cila zgjati disa vjet dhe përfundoi vetëm pas ndërhyrjes ndërkombëtare. Elaborimi i pavarësimit të Kroacisë është temë e gjerë dhe nuk mjafton vetëm një opinion i thjeshtë.

Bosnja e Hercegovina pas shpalljes se pavarësisë u zhyt në luftë të përgjakshme. Krimet që ndodhen atje nuk ishin parë që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore. Pjesa e mbetur e ish RSFJ-së të cilën po e drejtonte Serbia me Millosheviqin në krye, ndërhyri në Bosnje e Hercegovinë me të gjitha forcat, duke hapur kampet e harruara të përqendrimit, duke bërë edhe gjenocid si në Srebrenicë, duke pastruar etnikisht qindra fshatra e qytete boshnjake… Fatkeqësisht, megjithëse bashkësia ndërkombëtare ndërhyri me vonesë të madhe për të parandaluar konfliktin, ajo asnjëherë nuk e akuzoi direkt Serbinë për krimet në BeH, edhe pse dihej ashiqare se mbi 700 mijë forca ushtarake e paramilitare kishin hyrë nga Serbia.

Maqedonia u pavarësua nga pjesa e mbetur e RSFJ-së, por ajo nuk u njoh as atëherë e as sot nga Greqia fqinje. Madje, në shumë raste Maqedoninë e konteston edhe Bullgaria. Fqinji jugor i Kosovës u njoh menjëherë nga Shqipëria, por në vazhdimësi ndjekë edhe sot politikë antishqiptare. Pozita e shqiptarëve në Maqedoni nuk ndryshoi dukshëm, megjithëse atje pati edhe luftë të armatosur e cila u mbyll me të ashtuquajturën Marrëveshje të Ohrit. Habit fakti se si Shqipëria njohu menjëherë pavarësinë e Maqedonisë dhe ia hapi të gjitha rrugët tokësore, detare e ajrore, kur ky vend sllav ende nuk ka ndryshuar qëndrimin ndaj të drejtave themelore të shqiptarëve në Maqedoni.

Kundruall Bullgarisë, Maqedonia vazhdon të falsifikojë historinë dhe madje i ka venë në lajthitje edhe vendet tjera lidhur me historinë e saj, duke pretenduar se ajo ka lidhje gjenealogjike me Maqedoninë e Aleksandrit të Madh. Maqedonia ende nuk e ka zgjidhur konfliktin mes kishës ortodokse serbe dhe asaj maqedonase.

Kosova u pavarësua e fundit nga ish Serbosllavia dhe ajo edhe më tutje jo vetëm që nuk njihet nga Serbia, por agresori i deridjeshëm paguan ende komplet strukturat paralele të pushtetit serb, që nga koha e Millosheviqit. Kosovën ende nuk po e njeh as BeH, mu për shkak të Serbisë e cila ende tallet me shtetin boshnjak përmes Republika Sërpskës.

Edhe shtetet ballkanike, si Shqipëria e Greqia, me një jetëgjatësi shtetërore shekullore, ende nuk i kanë të definuar qartë kufijtë e tyre. Derisa problemi i Çamërisë shqiptare trumbetohet nga shteti shqiptar, vetëm brenda kufirit aktual, diplomacia e Tiranës asnjëherë nuk ka bërë ndonjë hap për të ndërkombëtarizuar ketë çështje.

Në anën tjetër, Greqia në vazhdimësi ndërhynë në çështjet e brendshme të Shqipërisë përmes entitetit grek, e madje edhe sot kërkon haptazi ndryshimin e kufijve me shtetin shqiptar, duke pretenduar ta aneksojë thuaja gjithë territorin e Toskërisë. Koncesionet e vazhdueshme të diplomacisë shqiptare ndaj Greqisë kanë shkuar aq larg, sa edhe marrëveshja për kufijtë detarë doli se ishte sekrete dhe pa dijeninë e Kuvendit të Shqipërisë. Gjykata përkatëse shqiptare, me një vendim unanim anuloi atë marrëveshje, por problemi mbeti i hapur, megjithëse diplomacia aktuale mundohet të shes mjegull për opinionin shqiptar.

Republika e Turqisë, megjithëse me shekuj kishte pushtuar gjithë Ballkanin, tash del si mike e vendeve të rajonit, por kërkon në vazhdimësi rishikimin e historisë së shkruar të këtyre popujve dhe ashiqare shpreh pakënaqësinë e saj për mësimet që po i servohen nxënësve e studentëve ballkanas kundruall ish perandorisë.

Serbia, pa e njohur Kosovën, asnjëherë as vetë nuk do të jetë shtet normal. Dikujt fusnota e kërkuar nga Serbia për të mos pranuar Kosovën si shtet të barabartë në tubimet rajonale i është dukur si kompromis i dëmshëm për Kosovën, mirëpo sa më shumë që po kalon koha po shihet se fusnota i duhet vetëm syrit serb dhe askujt tjetër. Paralajmërimi serb për të mos lëshuar takimet, ku merr pjesë edhe Kosova, është dëshmi se diplomacia serbe ka kuptuar se kryeneçësia e mëtutjeshme përball sfidave të kohës është krejt e kotë.

Megjithëse edhe Mali i Zi u pavarësua me referendum nga e ashtuquajtura RFJ, Serbia, duke pretenduar se është trashëgimtare e RSFJ-së, vazhdon ta mohojë edhe vetë qenien kombëtare të malazezëve, ndërsa përmes kishës ortodokse destabilizon në vazhdimesh këtë vend fqinj.

Vojvodina, si krahinë e dikurshme, pjesë konstituive e Federatës jugosllave, edhe sot po ballafaqohet me pushtimin dhe plaçkitjen klasike nga pushtetarët e Beogradit. Një konflikt i mundshëm ndërmjet popullatës së përzier të Vojvodinës dhe pushtetit qendror serb, edhe më tutje është i mundshëm. Pozita e pakicave kombëtare në Serbi ende është shumë e paqartë. Kushtetuta serbe garanton shume të drejta për minoritete, por ato entitete që jetojnë brenda kufijve te tashëm te Serbisë nuk i realizojnë kurrë. Ligjet nuk zbatohen asnjëherë. Ka vërejtje serioze për shkeljen e të drejtave të hungarezëve në Vojvodine, të boshnjakëve në Sanxhak, të shqiptarëve në luginën e Preshevës, të pakicës rumune e të asaj bullgare, e të mos flitet për entitetin rom.

Ditëve të fundit, derisa flitet për mundësinë e përfundimit të mbikëqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë së Kosovës, mund të dëgjohen e lexohen shumë shënime analistësh e opionistësh shqiptarë nga Kosova e Shqipëria. Qartë vërehet një frikë e tyre për pavarësinë e Kosovës. Kjo dukuri nuk mund të quhet ndryshe pos pasojë e një mentaliteti të robit, i cili i frikësohet lirisë të cilën duhet të jetë i gatshëm ta mbrojë me sakrificë sublime. Të gjithë ata që nuk janë bindur deri sot se Kosova nuk është e pavarur, ka ardhur koha që të binden për këtë dhe të mos mbjellin defetizëm me atë mentalitetin e robit, duke i ofruar auditorit shënime e analiza bajate. Ka ardhur momenti historik që edhe mbikëqyrja e pavarësisë të përfundojë dhe t’i tregojmë botës se jemi të aftë të qeverisim vetveten pa frikë. Sot, kur paralajmërohet fundi mbikëqyrjes, të gjithë ata që e ndjejnë vetën shqiptarë duhet të rreshtohen në kolonën e djemve që ditën të luftojnë kundër Serbisë edhe atëherë kur kjo dukej si diçka e pamundur.

 

Exit mobile version