Ballkani ka fituar me rezultat bindës në Therandë kundër Vushtrrisë 3-1 në kuadër të javës së 27-të në Superligën e Kosovës.
Vendasit e filluan mjaftë mirë takimin duke rrezikuar me anë të Blendi Baftiut, mirëpo goditja e tij ishte e plogësht dhe e lehtë për t’u kapur nga portieri Marly Prince.
Nuk vonoi shumë dhe Ballkani shënoi golin e parë me anë të Mirlind Daku që shënoi në minutën e 13-të me kokë, pas një harkimi nga Ermal Krasniqi.
Pesë minuta më vonë, Baftiu arriti të futet në listën e realizatorëve, pasi shënoi nga penalltia e fituan prej Krasniqit.
Pjesa e parë përfundoi me këtë do gola, ndërsa në të dytën u shënuan po ashtu dy të tjerë.
Me të filluar 45 minutëshi i dytë, Ballkani e kishte përsëri iniciativën dhe arriti që në minutën e 53-të të trefishonte epërsinë me anë të Arbër Prekazit.
Por, vushtrriasit nuk u dorëzuan deri në fund dhe arritën që së paku të ngushtonin epërsinë e vendasve me anë të Kushtrim Fazliu (78’).
Ballkani në javën e 27-të mori tri pikë të rëndësishme, për t’u renditur në vendin e dytë me 53 pikë, pesë më pak se lideri Drita, ndërsa Vushtrria është në të parafundit (11) me 16 sosh. /Telegrafi/