Stadiumi i Qytetit në Suharekë ka qenë arena e kryendeshjes së xhiros së nëntë në Superligën e Kosovës në futboll ndërmjet Ballkanit dhe Prishtinës, në të cilën nikoqirët bënë një rikthimin sensacional që përfundoi 2-1.
Vendasit e nisën sfidën në përpjekje për të ndërtuar aksione dhe për të rrezikuar, mirëpo nuk ishin efektivë në fazën finale.
Në anën tjetër erdhi ndëshkimi. Gauthier Mankenda goditi me të djathtën, ndërsa Otto John u sigurua që topi të përfundonte në rrjetë (34’).
Edhe në gjysmën e dytë vazhdoi përpjekja e skuadrave për të shënuar. Nikoqirët kërkonin barazimin, kurse mysafirët golin e sigurisë.
Ekipi suharekas intensifikoi përpjekjet me afrimin e minutave të fundit, por përkundër rasteve mungonte konkretizimi. Ndërsa edhe bardhekaltrit patën rastet e tyre për të ndëshkuar.
Dhe pas tentativave të shumta, Ballkani e barazoi rezultatin (88’). Një harkim të mirë të Edvin Kuç, e shfrytëzoi Mevlan Zeka për të shënuar me kokë.
Tjetër harkim i mirë nga Kuç dhe sërish në zonë më së miri reagoi Zeka (95’+1) për golin e dytë dhe të fitores në këtë takim.
Ballkani vazhdon të jetë lider me 22 pikë, gjashtë më shumë se përcjellësi i parë, Drita. Ndërsa Prishtina është e katërta në tabelë me 11 pikë. /Telegrafi/