Site icon Telegrafi

Ballkani nën shënjestrën e Rusisë

Zbehja e rolit të Bashkimit Evropian në Ballkan, ka sjellë si kundër-efekt rritjen e ndikimit të Rusisë, thonë njohësit e zhvillimeve politike.

I ballafaquar me sfidat e zgjerimit dhe sidomos me referendumin për daljen e Britanisë së Madhe nga Bashkimi Evropian, ky union, sipas analistëve, ka lënë anash rajonin e Ballkanit, i cili është vënë tani në shënjestër të interesave të Rusisë.

Politologu Ramush Tahiri mendon se vonesat në proceset integruese evropiane, paraqesin rrezik për Ballkanin Perëndimor. I lënë si një terren pa perspektivë të qartë evropiane, Ballkani, sipas Tahirit, po shihet sërish nga Rusia si mundësi për ta shtrirë ndikimin.

“Çështja mes Kosovës dhe Serbisë mbeti e papërfunduar, qoftë me një rezolutë të Këshillit të Sigurimit apo me një marrëveshje ndërkombëtare ku përfundimisht pranohet pavarësia e Kosovës. Kështu, Serbia mbetet terren i përshtatshëm për ndikimin rus”, thekson Tahiri.

Rrethanat aktuale, sipas Tahirit, po tregojnë se Ballkani mund të kthehet sërish në vatër krize, nëse nuk përshpejtohen proceset euroatlantike në njërën anë dhe nëse nuk përmbyllen çështjet e brendshme, siç është rasti me Kosovën e Maqedoninë, të cilat mbeten shtete ende jostabile.

Ndërkohë, analisti Arben Qirezi thotë se Rusia po përpiqet të kthejë ndikimin e saj në disa vende të Evropës Lindore të cilat tradicionalisht kanë qenë të lidhura me Rusinë. Në Bullgari e Moldavi, thotë ai, tashmë ka lidershipe të orientuara kah Rusia. Kurse, Serbia mbetet aleati më i afërt i Rusisë.

Një tendencë e Rusisë për t’u përfshi në Ballkan, sipas tij, u vërejt me zgjedhjet e fundit në Mal të Zi, ku autoritetet e Podgoricës patën akuzuar Moskën dhe Beogradin për përgatitjen e atentatit kundër ish-kryeministrit Milo Gjukanoviq.

Roli dhe ndikimi i Rusisë në Ballkan, sipas Arben Qirezit, mund të jetë ndikuar së fundit edhe nga zgjedhjet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ai thotë se të gjitha këto zhvillime mund të jenë kuptuar nga Rusia si sinjale për të vepruar në Ballkan.

Sa i përket Kosovës, njohësit e zhvillimeve politike thonë se shtrirja e ndikimit rus vjen nga Serbia, si aleate tradicionale e Rusisë, e cila shtrinë më pas politikat e saj përmes serbëve lokalë, kryesisht në veri të vendit ku popullata serbe përbën shumicën.

Kosova, sipas analistëve, mund të atakohet nga interesat ruse, por besohet se ka një mbështetje të fuqishme nga Shtete e Bashkuara të Amerikës dhe një pjesë e vendeve evropiane që ta ndalin këtë ndikim. /REL/

Exit mobile version