Dukagjini ka arritur ta ndalë Ballkanin në barazim 1-1 në ndeshjen e zhvilluar në stadiumin 18 qershori në Klinë.
Ka qenë një ndeshje shumë e mirë nga të dyja skuadrat, por 45 minutat e para përfunduan baras 0-0 përkundër rasteve të mira që patën dy ekipet.
Ishin vendasit që gjetën golin të parët në pjesën e dytë me Dior Zabërgjën, por goli i vushtrriasit u anulua shkaku i pozitës jashtë loje.
Ballkani u hodh në sulm dhe gjeti golin e epërsisë kur Armend Thaqi asistoi bukur për Albion Rrahmanin i cili shënoi për 0-1.
Megjithatë vendasit nuk u dorëzuan dhe fituan penallti ku Dellova pengoi në zonë Ergyn Ahmetin.
I saktë nga pika e bardhë ishte kapiteni Altin Mërlaku që shënoi për 1-1.
Deri në fund dy ekipet patën raste, por që gola më nuk pati dhe ndeshja u mbyll baras 1-1.
Përkundër barazimit vendasit mbeten në vendin e nëntë me 10 pikë, derisa Ballkani në vendin e dytë me 27 pikë.
Ndeshjen e ardhshme Ballkani e zhvillon në shtëpi ndaj Prishtinës, derisa Dukagjini udhëton në Gjilan për tu përballur me Gjilanin. /Telegrafi/