Telegrafi

Ballkani mund ta kalojë krizën vetëm me këshillat e FMN-së

Deri tani, në rajon kriza e kredive ka qenë e kufizuar. Sidoqoftë, ekonomistët kanë frikë se investuesit e fuqishëm do të shmangin tregjet në zhvillim dhe kjo mund t’i bëjë bankat më të brishta dhe të vërë financat e shtetit në vështirësi.

Serbia i shkëputi lidhjet me Fondin Monetar Ndërkombëtar në vitin 2006, sepse zgjedhjet e shpeshta po shkatërronin përpjekjet për të kryer reformat e kërkuara nga FMN-ja. Tani kryeministri Mirko Svetkoviç kërkon të arrihet një marrëveshje.

"Është e rëndësishme që FMN-ja të marrë pjesë në hartimin e planit buxhetor të Serbisë për vitin 2009, sepse kjo jo vetëm do të ulë shpenzimet publike, por gjithashtu do të sigurojë kreditorët e huaj, të cilët po vëzhgojnë nga afër sistemin tonë financiar dhe lidhjet me FMN-në," tha ai.

"Serbia nuk më duket më e cenueshme se Rumania apo Turqia," tha Tim Ash i Bankën Mbretërore të Skocisë. "Por ka nevojë të rregullojë disi kursin e këmbimit dhe për mbështetjen e FMN-së."

KROACIA

Në Kroaci nuk është përmendur FMN-ja, edhe pse kryeministri Ivo Sanader i tha kabinetit të tij se nuk ishte çasti për të bërë shpenzime të tepruara.

"7-8 vitet e fundit, shpenzimet buxhetore janë rritur çdo vit, por tani vetë qeveria duhet të tregojë se kjo nuk është më e mundur," tha ai.

Analistët thanë se vendi mund të ketë nevojë për FMN-në.

"Kroacia është e ekspozuar ndaj rrezikut, por politika e saj monetare dhe rezervat e forta të valutës krijojnë një mur mbrojtës," tha Goran Saravanja, një ekonomist te “Unicredit Southeast Europe”.

Këtë javë, FMN-ja i ka ofruar ndihmë Hungarisë dhe ka dërguar një delegacion në Ukrainë, për të diskutuar mbi mundësitë e një marrëveshjeje. Edhe Islanda që u prek rëndë nga kriza ekonomike, i ka kërkuar ndihmë FMN-së.

"Kriza e ka zanafillën jashtë rajonit, por i prek shtetet në mënyra të ndryshme," tha Kristof Rosenberg, përfaqësuesi kryesor i FMN-së për Evropën Qendrore dhe vendet e Baltikut.

"Mendoj se jemi në gjendje të japim ndihmën tonë," shtoi ai.

SHQIPËRIA, MAQEDONIA, BOSNJA

Vendet e vogla të Ballkanit ende nuk janë të qartë mbi lidhjet e ardhshme me FMN-në. Qeveria e Shqipërisë hezitoi të rilidhte marrëdhëniet me FMN-në, gjë që shpesh kërkon një kontroll të rreptë të buxhetit dhe masa të forta për të mbajtur nën kontroll inflacionin, por banka qendrore e shikon Fondin si mur mbrojtës ndaj krizës.

"FMN-ja është garancia më e mirë për të ruajtur drejtpeshimin dhe për hartimin e politikave makro-ekonomike," tha guvernatori i Bankës Qendrore të Shqipërisë, Ardian Fullani.

Ministri i financës së Maqedonisë tha se vendi i tij nuk do të kërkonte një marrëveshje të re me FMN-në, por mirëpret këshillat.

"Marrëveshja jonë 3 vjeçare ka përfunduar në gusht, por edhe pse disa thonë se do të ishte mirë ta rinovonim, ne mendojmë se nuk është e nevojshme ta kërkojmë menjëherë," tha Trajko Slavevski. "Por Maqedonia do të marrë pjesë në programin udhëzues të FMN-së."

Bosnja, e cila vazhdon të mbështetet tek ndihmat dhe koncesionet financiare nuk ka nevojë për programin e FMN-së, tha Gligorov. Por afrimi i FMN-së mund të shërbejë si çadër kundër krizës financiare.