Ballkani ka arritur një pikë në udhëtim te Prishtina duke barazuar në shtesë 2-2 në ndeshjen derbi të vlefshme për javën e 23-të në Albi Mall Superligën e Kosovës.
Kryeqytetasti ishin afër fitores së dytë radhazi pas tri humbjeve në pranverë, por humbën fitoren shkaku i një penalltie në minutat shtesë në ndeshjen e zhvilluar në stadiumin “Sami Kelmendi” në Lipjan.
Pjesa e parë e ndeshjes u karakterizua me lojë të barabartë, me të dyja skuadrat që patën rastet e veta, por pa arritur ta tundin rrjetën.
Kështu, pas 45 minutave lojë ekipet shkuan në pushimin mes pjesëve me rezultat të barabartë 0-0.
Në pjesën e dytë, Prishtina filloi furishëm duke shënuar dy gola pas disa rasteve, ndërsa Ballkani më vonë ngushtoi epërsinë dhe krejt në fund gjeti golin e barazimit.
Goli i parë i ndeshjes erdhi në minutën 51-të me anë të Bujar Pllanës, i cili shënoi për 1-0, ndërsa Endrit Krasniqi (58’) me një supergol dërgoi epërsinë në 2-0.
Pas golit të dytë, Ballkani filloi të luajë më shumë dhe gjeti rrjetën me anë të Nazmi Gripshit (80’), i cili me një supergol ngushtoi epërsinë në 2-1.
Kur pritej që ndeshja të mbyllej me fitoren e vendasve, ashtu nuk mendoi gjyqtari Genc Nuza, i cili akordoi një penallti në minutën e pestë shtesë dhe ishte Albion Rrahmani, i cili shënoi për rezultatin përfundimtar 22.
Pas këtij barazimi, Prishtina e sheh veten në pozitën e katërt me 31 pikë, ndërsa Ballkani zë vendin e parë me 49 pikë.
Në ndeshjen e ardhshme, kryeqytetasit udhëtojnë te Gjilani, ndërsa kampioni e pret Dritën. /Telegrafi/