Ka përfunduar pa gola ndeshja e javës së 23-të në Superligën e Kosovës në futboll, ndërmjet Ballkanit dhe Drenicës që u zhvillua në Stadiumin e Qytetit në Suharekë.
Gjysma e parë e takimit u mbyll pa gola me pak raste shënimi. Përmendim Kushtrim Gashin për vendasit dhe Alban Shillova për mysafirët, të cilët rrezikuan, po nuk u treguan efektivë.
Nikoqirët e nisën më mirë pjesën e dytë në tentim që ta zhbllokonin rezultatin, megjithatë nuk i konkretizuan rastet e tyre.
Argjend Bardhi arriti të shënonte për Drenicën, mirëpo gjyqtari e anuloi golin për lojë të rrezikshme.
Në anën tjetër, Blend Baftiu ishte i disponuar për lojë në këtë fraksion, mirëpo tentimet e lojtarit të Ballkanit nuk ishin të sakta. Kah fundi takimit, ai e goditi shtyllën.
Pas fishkëllimës së fundit të gjyqtarit, rrjetat mbetën të paprekura, ashtu që skuadrat i ndanë pikët.
Në këtë mënyrë, Ballkani ka mbetur në vend të dytë në tabelë, me një pikë më pak se Drita që të shtunën u ngjit në krye pas fitores ndaj Flamurtarit. Drenica është në vend të shtatë në tabelë me 31 pikë dhe qëndron mbi zonën e rrezikut. /Telegrafi/