Ballkani pas plot pesë ndeshjeve ka arritur të gjejë fitoren në Ipko Superligën e Kosovës pasi ka mposhtur Flamurtarin në stadiumin e qytetit në Suharekë.
Shumë tifozë ishin mbledhur për të përcjellë këtë duel dhe për të shtyrë skuadrën e tyre drejt fitores.
Fillimi ishte i zjarrtë për vendasit, të cilët patën shumë raste shënimi.
Fillimisht Leotrim Gashi dhe Leart Emini patën rastet e mira, kurse Baftiu pati rastin më të mirë, për t’iu mohuar goli nga portieri Shehu.
Leotrim Gashi për pak sa nuk u bë protagonist në fund të pjesës së parë kur qëlloi shtyllën e Flamurtarit.
Një rast me kokë nga Elezie hapi pjesën e dytë për vendasit, ku sërish u desh intervenimi i portierit mysaffir.
Flamurtari rastin më të mirë e pati pas një orë lojë, kur Agron Bruqi nga afërsia nuk arriti të gjente golin e epërsisë për mysafirët nga kryeqyteti.
Pas shumë rasteve dhe ofensivës, Ballkani gjeti golin në minutën e 70-të me anë të Manveskit i cili hyri në lojë nga stoli.
Deri në fund Flamurtari tentoi të dalë përpara, por nuk arriti të barazonte rezultatin.
Me këtë fitore Ballkani arrin 12 pikë në vendin e nëntë, kurse Flamurtari zbret në pozitën e gjashtë me 16 pikë, shtatë pikë larg pozitës së parë që mbahet nga Feronikeli me një ndeshje më pak të zhvilluar. Flamutarti kështu bën gjashtë ndeshje rresht pa fituar. /Telegrafi/