Telegrafi

Ballkani i kthehet fitores pas një kohe të gjatë, mposht Flamurtarin

Ballkani ka shënuar fitore në shtëpi ndaj Flamurtarit me rezultat 2-0 në ndeshjen e vlefshme për javën e 26-të në Ipko Superligën e Kosovës.

Klubi nga Suhareka i është kthyer fitores pas një kohe të gjatë në kampionat duke mposhtur një rival direkt në luftën për barazh.

Pjesa e parë e ndeshjes ishte thuajse e barabarta nga të dyja skuadrat, të cilët patën rastet e veta për gol, por portat mbeten të paprekura.

Në pjesën e dytë, Ballkani hyri furishëm në lojë duke gjetur golin pas vetëm tre minutave, ndërsa më vonë gjeti edhe golin e sigurisë.

Ishte talenti Almir Ajzeraj, i cili shënoi në minutën e 49-të për epërsinë 1-0, ndërsa për 2-0 u përkujdes Edvid Kuc (59′), i cili vulosi fitoren e vendasve.

Pas kësaj fitore, Ballkani i ik zonës së barazhit duke u renditur i teti me 32 pikë, ndërsa Flamurtari një pozitë më poshtë me 29 pikë.

Në ndeshjen e radhës, klubi nga Suhareka udhëton te Trepça ’89, ndërsa kryeqytetasit presin Lirinë. /Telegrafi/