Site icon Telegrafi

Ballkani kërkon të arrijë atë që nuk e ka arritur asnjë skuadër nga Kosova

Kampioni i Kosovës, Ballkani kërkon të arrijë suksesin më të madh të një klubi nga Superliga, duke kaluar raundin e parë kualifikues në Ligën e Kampionëve.

Shumë skuadra të Kosovës janë paraqitur në kualifikueset e Ligës së Kampionëve, por asnjëherë asnjëra nuk ka arritur ta ‘shkel’ raundin e dytë.

Klube si Trepça ’89, Drita dy herë, Prishtina dhe Ballkani tashmë për herë të dytë kanë qenë ekipet që kanë prezantuar Kosovën në Ligën e Kampionëve.

Megjithatë, edhe përkundër fitoreve dhe rezultateve pozitive, asnjëherë nuk është kaluar raundi i parë, pasi gjithmonë ekipet janë eliminuar ose kanë kaluar vetëm raundin e parë para-kualifikues.

Këtë sukses të madh apo historik po synon ta arrijë kampioni i dyfishtë i Superligës së Kosovës, Ballkani, i cili është në rrugën e duhur.

Lexo po ashtu Dita e ndeshjes: Ballkani luan ndeshjen kthyese ndaj Ludogoretsit në Ligën e Kampionëve  

Therandasit kanë fituar ndeshjen e parë në Prishtinë me rezultat 2-0 javën e kaluar dhe në takimin e sotëm në “Huvepharma Arena” të Razgradit, Ballkani synon raundin e dytë historik, pasi aty e dërgojnë tri rezultate: fitorja, barazimi dhe humbja me një gol dallim, shkruan Telegrafi.

Por, si është situata dhe historia e klubeve të Superligës së Kosovës në garat e Ligës së Kampionëve dhe cilat janë rezultatet tyre të cilat Ballkani mund t’i thyej të gjitha sot?

Ekipi i parë që luajti në Ligën e Kampionëve nga Kosova ishte Trepça ’89 në sezonin 2017/18, pasi një sezon më parë kampioni i atëhershëm Feronikeli nuk arritur të licencohet duke dështuar të paraqitet në garën prestigjioze.

“Minatorët” në atë kohë e nisen nga raundi i parë kualifikues ku u përballen me Vikingur Gota të Ishujve Farore, ku ndeshjen e parë në udhëtim e humben 2-1, ndërsa në “Adem Jashari” dëshpëroi duke u mposhtur 4-1 dhe duke u eliminuar.

Në edicionin pasues 2018/19 ishte Drita skuadra kosovare që luajti në Ligën e Kampionëve, por kësaj radhe nga raundi para-kualifikues, ku morën pjesë katër ekipe kampione nga federatat në vendet e fundit në ranglistën e UEFA-s.

Drita u shortua me Santa Coloma të Andorrës, të cilën e eliminoi në gjysmëfinale, ndërsa në finale të raundit para-kualifikues mposhti Lincolnin e Gjibraltarit duke u kualifikuar në raundin e parë kualifikues, ku u eliminua nga suedezët e Malmos me rezultat të përgjithshëm 5-0, përcjell Telegrafi.

Pasi dështoi në sezonin e parë, Feronikelit i erdhi radha për paraqitje në garat e Ligës së Kampionëve në edicionin 2019/20, ku e nisi nga raundi para-kualifikues.

Megjithatë, drenicasit sikurse gjilanasit e Dritës, edhe pse mposhten Lincolnin në gjysmëfinale e Santa Coloman në finale, në raundin e parë kualifikues u eliminuan nga uellsianët e TNS me rezultat të përgjithshëm 3-2, ku njërën humben 0-1, e tjetrën barazuan 2-2.

Në sezonin 2020/2021 ishte përsëri Drita e Gjilani që luajti në Ligën e Kampionëve në raundin para-kualifikues të zhvilluar në Nyon të Zvicrës shkaku i pandemisë.

Në gjysmëfinale, Drita e kaloi Inter d’Escalades të Andorrës duke e mposhtur me rezultat 2-1, ndërsa në finale humbi me rezultat zyrtar 3-0 nga Linfieldi për shkak të rasteve të shumta me coronavirus në skuadër.

Në edicionin e radhës, atë 2021/2022 ishte kampionia Prishtina e cila nisi garat nga raundi i parë para-kualifikues i Ligës së Kampionëve, ku në gjysmëfinale mposhti Folgore të San Marinos me rezultat 2-0, ndërsa në finale kaloi Inter d’Escalades të Andorrër me rezultat të njëjtë 2-0.

Megjithatë, klubi më i trofeshëm kosovar u eliminua në raundin e parë kualifikues nga klubi i madh hungarez, Ferencavors, i cili e mposhti me rezultat të përgjithshëm 6-1, ku ndeshja e parë u mbyll 3-0, ndërsa e dyta 3-1.

Në sezonin e fundit, atë 2022/2023, kampioni i Kosovës, Ballkani i nisi garat nga raundi i parë kualifikues i Ligës së Kampionëve për shkak të përmirësimit të rezultateve.

Ballkani u shortua në Zalgirisin e Lituanisë, ku si mysafir mori rezultat të mirë 1-1, por në Prishtinë humbi në kohën shtesë 1-0 dhe u eliminua.

Pas këtij eliminimi, therandasit kaluan në Ligën e Konferencës, ku arriten rezultat historik duke u kualifikuar në grupe, por raundi i parë kualifikues i Ligës së Kampionëve mbeti “kështjellë e pathyer” nga klubet kosovare.

Tani edhe në këtë sezon, ekipi i Ilir Dajës e nisi nga raundi i parë kualifikues dhe ka gjasa të mira të bëjë histori duke ‘shkel’ raundin e dytë kualifikues të Ligës së Kampionëve, pas fitores 2-0 ndaj Ludogorets në ndeshjen e parë të zhvilluar në Prishtinë.

“E kishim studiuar kundërshtarin duke e respektuar maksimalisht, pasi bëmë futboll goxha të mirë në gjitha aspektet. Bëmë lojën tonë që rezultoi me sukses”.

“Ne nuk do të mbrohemi edhe pse kemi fituar 2:0. Do të punojmë edhe në fazën e mbrojtjes edhe sulmit, pasi mendojmë se Ludogoretsi do ta filloj më furishëm takimin për shkak se është minus dy gola”.

“Do ta bëjmë mbrojtjen, por ashtu siç e kemi bërë në Prishtinë”, ka thënë trajneri Ilir Daja në konferencën për shtyp. /Telegrafi/

Exit mobile version