Ballkani ka arritur të fitojë ndaj Dritës me rezultat 2-0 në derbin e vlefshëm për javën e 21-të në Ipko Superligën e Kosovës.
Pjesa e parë e ndeshjes u karakterizua me lojë të hapur nga të dyja skuadrat, por me vendasit më të mirë dhe më kërkues.
Drita rrezikoi fillimisht me Betim Haxhimusën (10’) dhe Liridon Lecin (16’), por goditja e parë shkoi pranë portës, ndërsa e dyta rrëshqiti traversën.
Ballkani u kthye në lojë duke rrezikuar me Liridon Fetahajn (18’) dhe Blend Baftiun (21’), ku goditja e të parit shkoi mbi portë, ndërsa e dyta goditi traversën dhe skuadrat shkuan në pushim me rezultat të bardhë.
Në pjesën e dytë u pa vetëm një skuadër, ajo e Ballkanit, e cila goditi edhe dy shtylla tjera, derisa gjeti edhe tri herë golin, ku dy u pranuan dhe një u anulua.
Në minutën e 57-të erdhi traversa e parë nga Arbër Hoxha, ndërsa portieri Faton Maloku intervenon në dy kohë nga topi i kthyer, duke pritur goditjet e Artur Maganit dhe Baftiut.
Baftiu bëri gjithçka mirë në minutën e 65-të, por goditja e tij e bukur u ndal nga pingulja, ndërsa dhjetë minuta më vonë prishtinasi arriti të shënojë nga afërsia për 1-0.
Trysnia dhe sulmet e Ballkanit vazhduan edhe pas golit të parë deri në minutën e 82-të ishte Edvin Kuc, i cili me një supergol nga distanca shënoi për 2-0 dhe ky doli të jetë rezultati përfundimtar.
Pas kësaj fitore, Ballkani e sheh veten në pozitën e parë me 44 pikë apo tri më shumë se Gjilani i dyti, ndërsa Drita renditet e treta me 40 pikë. /Telegrafi/