Telegrafi

Ballkani humbet monopolin e kontrabandës së cigareve

Destinacioni final

Një shkrim të gjatë, kushtuar mafies së re ndërkombëtare që ua ka marrë monopolin e cigareve grupeve mafioze ballkanike, boton ditët e fundit edhe gazeta e njohur italiane, "La Republika". Gazeta prestigjioze vë në dukje se mafia napolitane dërgon maune dhe kamionë me cigare nga Ukraina dhe ish-republikat e tjera sovjetike për në Poloni, nga ku, përmes kanaleve të ndryshme, përfshirë në një shkallë të lartë edhe korrierët polakë (që udhëtojnë si turistë), cigaret arrijnë në destinacionin final, në Itali.

Fitimet marramendëse

Sipas së njëjtës gazetë, një bandë mafioze jo e madhe polako-italiane, e cila gjatë tri viteve të fundit, duke kryer 53 rrugë kontrabande për në Itali, ka siguruar fitime prej 1,8 milionë eurosh, kishte në krye një grua të arrestuar kohët e fundit në Poloni, polaken Bozhena L. (45 vjeçe).

Media polake bën të ditur se kjo bandë, gjysmën e së cilës e përbënin polakë, kurse pjesën tjetër italianë dhe refugjatë në Itali, funksiononte sipas një plani të organizuar si vijon: disa përgjigjeshin për përshtatjen e makinave, me qëllim që në to të fshiheshin cigaret që do të kontrabandoheshin, disa të tjerë bënin vetë kontrabandën, kurse të tretët merreshin me shitjen e cigareve.

"Polaket" dhe "kinezet"

Gazeta "La Republika" shkruante se "polaket", sikurse i quajnë në Napoli cigaret e ardhura kontrabandë nga Ukraina përmes Polonisë, kanë më shumë popullaritet e shiten më shumë, edhe pse janë më të shtrenjta sesa "kinezet", pra cigaret e sjella në këtë qytet përmes kanaleve kineze, duke qenë se blerësit janë të sigurt se bëhet fjalë për cigare origjinale të prodhuara në kombinate duhani dhe fabrika cigaresh.

Fitimet që po siguron vitet e fundit mafia napolitane e cigareve janë shumë të mëdha, duke pasur parasysh se një paketë cigaresh në Ukrainë blihet për gjysmë euro dhe po aq paguhen për paketë edhe kontrabandistët polakë që t‘i sjellin cigaret në Itali, ku ajo (paketa) shitet 2 deri në 3 euro copa.

Falë pistës së re polake, fitimet e mafies italiane të cigareve gjatë 18 muajve të fundit janë rritur tri herë, vë në dukje policia italiane, e cila gjatë periudhës së lartpërmendur ka arritur të konfiskojë më se 260 tonë cigare kontrabandë, shkruante gazeta italiane "La Republika".