Ballkani ka fituar me rezultat të thellë 6-2 në udhëtim te Arbëria në ndeshjen e vlefshme për javën e 24-të në Superligën e Kosovës.
Ekipi i Bledi Shkëmbit ka vazhduar formën e mirë dhe fitoret në kampionat, duke triumfuar edhe ndaj Arbërisë së Dobrajës.
Pjesa e parë e ndeshjes u karakterizua me lojë më të mirë të therandasve, të cilët përveç rasteve arritën të shënojnë edhe dy gola.
Goli i parë i ndeshjes erdhi pas 33 minutave lojë dhe ishte Arbër Hoxha, i cili shënoi për 0-1, ndërsa Mirlind Daku (42’) shënoi për 0-2 dhe me këtë epërsi Ballkani shkoi në pushim.
Në pjesën e dytë, Ballkani ishte përsëri skuadër më e mirë dhe më kërkuese, duke shënuar katër gola tjerë, kundrejt dy të vendasve.
Goli i parë në këtë pjesë erdhi në minutën e 56-të dhe ishte Nazmi Gripshi, i cili shënoi një supergol nga goditja e dënimit për 3-0, ndërsa gol të bukur shënoi edhe Almir Kryeziu (64′) për 1-3.
Pas këtij goli në skenë doli përsëri Daku, i cili në minutën e 65-të shënoi për 1-4, ndërsa dy minuta më vonë kompletoi het-trikun për 1-5.
Arbëria ngushtoi në minutën e 74-të me anë të Marcelei nga penalltia për 2-5, ndërsa Mevlan Zeka (78′) vulosi rezultatin përfundimtar 2-6.
Pas kësaj fitore, Ballkani e sheh veten në pozitën e dytë me 51 pikë apo dy më pak se Drita e para, ndërsa Arbëria zë vendin e tetë me 26 pikë.
Në ndeshjen e radhës, therandasit e presin në shtëpi Dritën, ndërsa Arbëria udhëton te Drenica. /Telegrafi/