Ballkani ka shënuar fitore të thellë ndaj Besës së Pejës me rezultat 4-1 në ndeshjen e vlefshme për javën e 28-të në Superligën e Kosovës.
Ekipi i Bledi Shkëmbit ka marrë një fitore të lehtë në shtëpi ndaj Besës dhe është bërë lider i përkohshëm i kampionatit.
Pjesa e parë e ndeshjes u karakterizua me lojë më të mirë dhe dominim të vendasve, por të dy ekipet arritën ta shënojnë nga një gol.
Ballkani kaloi në epërsi në minutën e pestë me anë të Meriton Korenicës, i cili shënoi për 1-0, ndërsa Besa barazoi 1-1 me anë të Andi Qorrit (24’).
Vendasit patën mundësi ideale për të shënuar një tjetër gol, por në minutën e 42-të Arbër Hoxha humbi penalltinë dhe ekipet shkuan baras në pushim.
Në pjesën e dytë, Ballkani rriti sulmet dhe rastet e krijuara, ndërsa arriti t’i shënojë edhe tri gola për të marrë fitoren.
Goli i parë në këtë pjesë erdhi në minutën e 56-të me anë të Nazmi Gripshit, i cili shënoi për 2-1, ndërsa Korenica (69’) shënoi golin e dytë personal për 3-1.
Për golin e fundit dhe rezultatin përfundimtar u përkujdes mbrojtësi Arbër Prekazi që shënoi me kokë për 4-1.
Pas kësaj fitore, Ballkani e sheh veten në pozitën e parë me 58 pikë, po aq sa ka Drita e dyta me një ndeshje më pak, ndërsa Besa zë vendin e fundit me vetëm 10 pikë. /Telegrafi/